Rritet interesi i studentëve për vaksinim


Rritet interesi i studentëve për vaksinim

16:17 07/09/2021

Manastirliu: Vaksinim edhe në universitete e konvikte

Imunizimi i studenteve është cilësuar si domosdoshmëri nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, prof. Arben Gjata. Për këtë arsye me fillimin e shkollës, procesi i vaksinimit do të bëhet edhe në universitete dhe konvikte.

“Jemi duke punuar me qendrën e qytetit “Studenti” edhe për të gjithë ata student, të cilët do të jenë regjistruar dhe që do të shkojnë edhe nëpër konvikte, është e nevojshme që patjetër të jenë të vaksinuar.

Por nga ana tjetër edhe për të gjithë studentët tashmë dihet që vaksinimi është edhe një kusht për të qenë sa më të lirshëm në auditor. Ne kemi vendosur që me të filluar edhe shkollat, të spostohemi edhe në universitete, në secilin prej universiteteve”.

Manastirliu tha se më shumë se 60% e arsimtarëve i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës.

“Jam e bindur që brenda shtatorit ne do të arrijmë rezultate shumë të mira për sa i përket mbulesës vaksinale tek kategoria e mësuesve dhe pedagogëve, por edhe edukatorëve të kopshteve dhe çerdheve pasi edhe ato janë në fokus të punës sonë të përditshme për sa i përket vaksinimit”.

Arben Gjata kërkoi nga studentët të vaksinohen pasi ky është kusht për praktikat mësimore.

“Është e pamundur që të bëhen mësime praktike dhe studentët të mund të shkojnë tek pacientët, nëse nuk janë ta vaksinuar për arsye se ka një risk shumë të lartë”.

Muaji shtator është muaji i hapur për vaksinimin anti-Covid për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, të cilët mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën më të afërt të vaksinimit, për të kryer vaksinën ndaj Covid-19. Deri tani janë kryer në total rreth 1 milion e 540 mijë vaksinime, prej të cilave, mbi 673 mije qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.

Tv Klan






Të ngjashme