debora

Megjithëse reshjet e borës kanë pushuar, ulja e ndjeshme e temperaturave deri -10 gradë nën zero ka sjellë akullin në rrugët e vendit.

Gjendja e përgjithshme e rrugëve kryesore është relativisht e mirë ndërsa mbeten problematike rrugët dytësore.

Në Qarkun e Tiranës ka ngrica në rrugët që lidhin akset Dajt – Qafë Mollë – Bizë, Trau Dajt – Antena, Qafë Priskë – Shëngjergj dhe ku qarkullimi rekomandohet te kryhet me zinxhirë.

Në qarkun e Korçës, më problematike është gjendja në aksin Korçë-Ersekë ndërsa si pasojë e borës është i detyrueshëm udhëtimi me zinxhirë në Boboshticë dhe në Dardhë.

Ndërsa në aksin Pogradec –Qafë Thanë ka erë të fortë që e sjell borën përsëri në rrugë. Vazhdon puna për pastrimin e rrugës dhe kriposjen e saj.

Qarkullimi është i vështirë dhe duhet të kryhet me zinxhirë. Ndërsa automjetet e tonazhit të rëndë sipas policisë rrugore, u është ndaluar të kalojnë në këtë aks për shkak të ngricës. Po ashtu kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë është bllokuar dhe nga pala Maqedonase dhe në pikën e kalimit Qafë -Thanë nuk lejohet kalimi i tyre në të dy anët e kufirit për shkak të ngricave dhe dëborës.

Në Elbasan është i bllokuar aksi Librazhd – Steblevë. Në Vlorë raportohen probleme në Qafën e Llogorasë ku ka prani të ngricave në rrugë.

Megjithëse vazhdon hedhja e kripës rekomandohet ecja e kujdesshme, dhe në disa zona përdorimi i zinxhirëve për shkak të ngricave.

Në Gjirokastër ka probleme për shkak të ngricave në Qafë Muzinë.

Në Kukës ka përmirësim të situatës ndërsa qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në disa segmente të Tropojës dhe Kukësit si për shembull: Ura e Cerenecit-Steblevë, Muhurr-Qafë Draj dhe në segmentin Sllohe-Kalaja e Dodës.

Rruga e Kombit është e hapur dhe kalimi bëhet pa zinxhirë.

Edhe në akset e Pukës dhe Malësisë së Madhe ka ngrica që po trajtohen me kripë dhe qarkullimi në akset e Pukës dhe Malësisë së Madhe rekomandohet të bëhet me zinxhirë.

AKSET ME PROBLEMATIKE

Qarku Tiranë

Dajt – Qafë Mollë – Bizë

Trau Dajt – Antena

Qafë Priskë – Shëngjergj

Qarku i Korçë

Pogradec – Qafë Thanë

Korçë – Ersekë

Korçë – Boboshticë

Korçë – Dardhë

Qarku Elbasan

Librazhd – Steblevë i bllokuar

Qarku Vlorë

Qafa e Llogorasë

Qarku Gjirokastër

Qafë Muzinë

Qarku Kukës

Ura e Cerenecit – Stebleve

Muhurr – Qafë Draj

Sllohë – Kalaja e Dodës

Rruga e Kombit pa probleme

Tv Klan