Të ftuar:

Teuta Borava – Ish-sipërmarrëse, Turiste profesioniste

Debora Keci – Sportiste

Arjon Muça –Moderator

Era Rrumbullaku – Blogere

Udhëtimet në fundvit janë kthyer në një trend për shqiptarët, të cilët preferojnë që gjatë kësaj periudhe festive të shkëputen nga tradita e vjetër e darkës me familjen në shtëpi. Gjithnjë e më shumë ata po largohen drejt destinacioneve të ndryshme jashtë kufijve.

E pikërisht për të folur për udhëtimet në vende të ndryshme të botës gjatë fundvitit, ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan katër personazhe, të cilët kanë spikatur për pasionin që kanë për udhëtimet.

Bëhte fjalë për Teuta Borava, ish-sipërmarrëse e turiste profesioniste, Debora Keci sportiste, Arjon Muça moderator dhe Era Rrumbullaku blogere. Gjatë emisionit, të ftuarit rrëfyen rreth udhëtimeve të tyre nëpër botë gjatë festave të fundvitit.

“Ndryshe nga vitet e fundit që kam zgjedhur Azinë, këtë vit zgjodha të qëndroj në Europë dhe ndërrimin e viteve e kalova në Berlin. E startova udhëtimin me një javë në Paris, më pas në Punta Cana në një atmosferë ndryshe, u ktheva sërish në Europë në Pragë dhe Madrid dhe për Krishtlindje dhe Vit të Ri në Gjermani”, tha Teuta Borava.

“Fundviti përgjithësisht të jep më shumë mundësi për pushime dhe zakonisht lëvizim. Zgjedhim të kalojmë jashtë ose Krishtlindjet ose Vitin e Ri. Këtë vit, por edhe vitin e kaluar ishim në Pragë për Krishtlindje, por për Vitin e Ri këtë vit nuk kishim dëshirë të qëndronim në Europë dhe vendosëm të shkojmë në Egjipt. Ndoshta nuk ishte vendi tipik për të kaluar Vitin e Ri sepse vendet myslimane nuk është se e festojnë shumë ndërrimin e viteve. Megjithatë e kishim në listën e pikësynimeve tona për ta vizituar dhe vendosëm. Nuk qëndruam në një vend sepse nuk na pëlqen”, tha Debora Keci.

“Unë isha në Pragë për festa, pata mundësinë pas shumë vitesh të them të vërtetën sepse për shumë kohë kam preferuar t’i kaloj me të shtëpisë. Por kësaj here vendosa të bëj një mini tur Vienë-Pragë. E nisa nga Viena, qëndrova një ditë, më pas kalova në Pragë për Krishtlindje dhe më pas u riktheva sërish në Vienë për Vitin e Ri. Unë e kisha parë Vienën shpeshherë dhe më kishin thënë që Praga është një Vienë e vogël, por ishte një ndërthurje mes Vienës dhe një shteti totalisht gotik. Praga është një qytet që në çdo stinë të vitit është plot me turistë”, tha Arjon Muça.

“Këtë vit unë zgjodha Stambollin, nuk është një zgjedhje e rastësishme, kam festuar edhe vjet Vitin e Ri në Stamboll dhe kam ngelur e mahnitur nga organizimi. Nuk e prisja të ishte aq mirë dhe mendova që edhe këtë vit ta kaloj po në Stamboll. Stambolli ka shumë për të parë, sado që të qëndrosh sërish do të gjesh gjëra për të parë, është një qytet i stërmadh. Edhe Stambolli hyn në ato qytete që duhet parë në këmbë, duhet shijuar. Në urën e Bosforit bëhet një spektakël i madh fishekzajrresh dhe shumë njerëz zgjedhin lokalet pranë urës për të kaluar ndërrimin e viteve”, tha Era Rrumbullaku.

Edlira Sallaku – Autore e “Progres-sfida e autizmit”

Ajo është një nënë heroinë, e cila ka rritur djalin e saj mes vështirësive, paragjykimeve të shumta e sfidave të vështira. Djali i saj është sot 21 vjeç. 20 vite më parë, Edlira Sallaku mësoi se Drini ishte me autizëm. Ajo luftoi për vite me radhë, duke hequr dorë edhe nga profesioni i saj për t’iu përkushtuar djalit.

Nuk u mposht kurrë dhe vazhdon ende të investojë gjithçka për djalin, duke i bërë ballë çdo vështirësie. Sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Edlira Sallaku rrëfeu historinë e saj të cilën e ka shprehur edhe një libër të titulluar “Progres-sfida e autizmit”.

“Jeta ime ishte një sfidë që në momentin që unë mora vesh problemin e zhvillimit të autizmit në moshën 1 vjeç të djalit tim, Drinit. Atij iu shfaq autizmi shumë i rëndë dhe të tërë specialistët e fushës hoqën dorë për rehabilitimin e tij sepse ishte e pamundur në atë kohë, nuk kishte mënyra terapie. Edhe në botë njihej shumë pak. Kishte dy zgjidhje që më ofruan: Ose ta braktisja, ta lija në rezidencë ose të luftoja edhe pse propabiliteti që ai të kishte rezultate të suksesshme ishte minus. Unë pranova të tentoj rrugën e të pamundurës dhe thashë, të pamundurën do ta bëj të mundur dhe me dashurinë që vetëm një nënë mund të ketë, arrita të punoj.

Lash punën, profesionin tim dhe nisa të studioja. Isha ekonomiste financiere, por braktisa komplet karrierën dhe jetën time dhe iu përkushtova djalit tim. Edhe pse ishte e panjohur si fushë për mua, unë doja patjetër të kisha progres dhe të rehabilitoja djalin tim, i cili tashmë ka shpalosur dy talente të fuqishme në pikturë dhe në informatikë. Nisa të lexoj informacione të ndryshme dhe i koordinova me problemin e djalit tim. Eksploroja tek djali im gjithçka që lexoja dhe realizoja plan-projekte ditore dhe mujore dhe shija që kishte pluse”, tregoi Sallaku.