RUDINA – EMISIONI 24 PRILL 2019!

RUDINA – EMISIONI 24 PRILL 2019!

18:32 24/04/2019

Të ftuar:

Pirro Milkani - Producent/ Regjisor/ Aktor

Ema Andrea - Aktore

Një film thriller që ka brenda shumë mister dhe enigma të pazgjidhura. Në kuadër të javës spanjolle të letërsisë 2019, ambasada spanjolle në Tiranë shfaqi ditën e djeshme premierën e filmit “Zgjimi i Enver Simakut”. Ky film është frymëzuar nga trazirat e ’97-ës në Shqipëri dhe në të luajnë aktorë si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Viktor Zhusti, Ema Andrea, Laert Vasili dhe aktori nga Kosova Lulzim Guhelli, të cilët luajnë krahas atyre ndërkombëtarë.

Regjisori i njohur Pirro Milkani, i cili i ka dhuruar kinematografisë shqiptare dhjetëra filma, vjen me një rol të thjeshtë, të një mësuesi fshati me bindje komuniste deri në fund, por që fenomenin e vdekjes donte ta denonconte sepse ishte i ndershëm. Ndërsa aktorja Ema Andrea, vjen në rolin e historianes.

Për të folur më shumë rreth filmit ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Pirro Milkani dhe aktorja Ema Andrea.

“Xhirimet e filmit janë bërë në Shqipëri dhe në Spanjë. Është i pari produksion spanjoll dhe ka qenë i suksesshëm. Është një fillim shpresëdhënës për një regjisor të ri, i cili nuk e ka bërë për të spekuluar, por i ka ardhur në mënyrë organike kjo gjë. Marco është djali i një komunisti spanjoll, i cili për disa vjet punoi në Radio Tirana në emisionet e gjuhës shqipe. Ai kishte dëgjuar për Shqipërinë nga babai i tij dhe pas viteve ‘90 babai e solli Marcon disa herë. Ai u lidh veçanërisht me festivalin e filmit në Pogradec dhe aty njohu drejtpërdrejtë kinematografinë shqiptare dhe i lindi ideja për filmin”, tha Milkani.

“Unë luaj rolin e historianes. Ajo që është më e rëndësishme në gjithë thelbin e filmit është pikërisht e keqja që ne mbartim pa i vënë një emër. Edhe pse kujtojmë se politikisht e kemi çliruar, ka ndryshuar sistemi, por në të tilla momente kuptojmë që ajo e keqe ndodhet brenda secilit dhe mjafton të gjejë një moment që të shpërthejë. Është një realitet i parë nga këndvështrimi i një vizitori. Aktori kryesor është gjerman, por që jeton në Spanjë”, tha Andrea.

Alketa Çela – Soprano

Ajo është një soprano e njohur, e cila ka prekur skena të rëndësishme ndërkombëtare. Ka interpretuar disa prej roleve më të njohura dhe të vështira operistike të repertorit të Verdit,Massenet, Gounod, Giordano në Operat më të njohura Evropiane si Lyon, Berlin, Hammburg, Paris, Mogador, Teatri Mbreteror, Teatri La Monnaie Bruksel, Marseille etj.

Sopranoja Alketa Çela është sot një artiste shumë e njohur jashtë vendit. Ajo jeton në Francë, por sot ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur më shumë rreth karrierës së saj 25-vjeçare.

“Që e vogël kam kënduar me pionerët e atëhershëm, këndoja si soliste. Ndiqja gjithnjë operan në televizion, pëlqeja shumë Verdin, Puccinin dhe mendova të konkurroja. Pata sukses, fitova konkursin, por zëri im ishte i pashtruar. Në fillimet e pakta të demokracisë pata fatin të konkurroj në një konkurs të Katia Ricciarellit, aty fitova shansin të promovohesha në Itali. Kështu filloi karriera. “Madama Butterfly” është një nga rolet që kam interpretuar më shpesh dhe linja e Puccinit është më afër për mua. Zërin tim e kanë krahasuar shpesh me Callas, ka një pjekuri që përputhet me linjën e Puccinit”, tregoi Alketa Çela.

Dr. Artan Jahollari - Kirurg Kardio-Vaskular, në Spitalin Amerikan 3

Të ngjashme
Kolegji Profesional
AKSHI