Donald Trump do të përdorë marrëdhënien e tij me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin për liruar nga burgu gazetarin e WSJ Evan Gershkovich.

Ish-presidenti shkroi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se kjo do të ndodhte pas zgjedhjeve të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, kur ai po kërkon të mposhtë Presidentin Joe Biden dhe të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov thotë se Presidenti Vladimir Putin nuk ka pasur asnjë kontakt me Donald Trump lidhur me lirimin e Gershkovich.

Gershkovich u arrestua në Rusi në mars të vitit të kaluar me akuza për spiunazh që ai, media ku ai punon dhe administrata e presidentit amerikan Joe Biden i kanë mohuar.

Ai ka kaluar më shumë se një vit në një burg në Moskë, pa asnjë datë të caktuar për një gjyq.

Presidenti rus bëri të ditur në shkurt se mund të jetë e mundur lirimi i tij në këmbim të një rusi të burgosur në Gjermani për vrasje. Peskov përsëriti deklaratat e mëparshme të Kremlinit se kontaktet me Uashingtonin lidhur me çdo shkëmbim të të burgosurve duhet të kryhen në heshtje të plotë.

Klan News