Me argumentet se zbatimi i vendimit të Apelit që dërgoi në qeli deputetin Ervin Salianji, ka pasoja të rënda për mandatin dhe e pengon në ushtrimin e detyrave si i zgjedhur në Kuvend, avokatët kërkojnë shtyrjen e zbatimit të tij.

Kërkesa është dorëzuar të premten në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, në të njëjtën kohë që Salianji iu bind vullnetarisht urdhëresës së vendimit të treshes gjykuese për të vuajtur dënimin me 1 vit heqje lirie në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në raste të veçanta ligji parashikon se edhe ekzekutimi i një vendimi të formës së prerë mund të shtyhet për raste shëndetësore, deri në shërim, për raste të grave të cilat janë shtatëzënë deri kur fëmija bën 1 vjeç.

Si dhe në raste të tjera që sjellin pasoja të rënda për të dënuarin ose familjen, nga 3 deri në 6 muaj.

Dhe pikërisht kërkesa e deputetit Salianji është e bazuar në pikën ç të këtij neni që parashikon shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për raste të veçanta me 3 muaj.

Ervin Salianji u gjet fajtor bashkë me 3 të tjerë nga dy gjykata se kishte inskenuar audio-përgjimin që në vitin 2018 implikoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në trafik narkotikësh.

Ai u dërgua mbrëmjen e të premtes në Burgun e Fierit për të vuajtur dënimin. Vetë deputeti e konsideroi dënimin të motivuar politikisht.

Tv Klan