Këtë të Premte, kreu i grupit parlamentar të PS Niko Peleshi theksoi se nuk ka asnjë arsye për ngritjen e një qeverie teknike. Kjo e fundit është kërkesa kryesore e opozitës para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

Për deklaratën e Peleshit, ka një reagim edhe nga ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i cili aktualisht ndodhet në burgun e Fierit. Nga kabina telefonike ai i ka komunikuar avokatit të tij se Partia Demokratike po reagon ndaj padrejtësive. Salianji ka hedhur akuza ndaj Peleshit, duke e quajtur përfitues nga dy standardet e drejtësië.

“Po reagojmë ndaj padrejtësisë, që e prodhon kapja dhe përdorimi politik i  gjykatave! Vendime të padrejta historia njeh me simbole të mëdha! Edhe Mandela u gjykua nga Rivonia Trial dhe u burgos, Martin Luter King u gjykua nga gjykatat, edhe madje Gandi u gjykua e dënua nga gjykatat. Ata që guxuan t’i dënojnë, nuk shpëtuan as nga drejtësia e njeriut as nga ajo e historisë. Sot, Partia Demokratike proteston kundër kapjes dhe përdorimit të drejtësisë, çdo qytetar mund ta gjykojë vetë nëse i shërben kjo interesit qytetar! I shërbejmë Shqipërisë duke denoncuar banditët e kriminelë me pushtet, duke denoncuar këta që vjedhin e shkretojnë Shqipërinë?! Niko Peleshi është përfitues, personalisht nga dy standartet e drejtësisë. Kur Rama e flaku si ministër ju hapën disa hetime. Pyetja është pse nuk u hetua plotësisht dhe të mbajë përgjegjësi Peleshi për helmet që futi me firmën e vet kur ishte Ministër Bujqësie, ndërkohë që ekspertët e fushës e kishin thënë fjalën e tyre që këto kimikate helmonin qytetarët! Publiku do të dijë; ku janë hetimet për Peleshin, kur ai del në komunikime për korrupsion në kohën kur drejtonte Bashkinë Korçë? Publiku do të dijë, a ka hetim për pronësitë e shumta të tij në Korçë?

Çfarë shkakton dëm për interesin publik, helmimi i qytetarëve, korrupsioni dhe klientelizmi i Peleshit apo denoncimi im i një trafikanti droge i cili u shpëtua nga hetimi dhe dënimi i ri për trafik droge për shkak se u paketua brenda ditës për në Itali?! Nëse thënia e të vërtetave dhe denoncimet e mafies kanë kosto, po marr përsipër çdo kosto dhe izolimin e privimin e padrejtë të lirisë dhe marrjen e mandatit të qytetarëve, por ta harrojnë se kjo do të ndalë të vërtetat. E mos shesin më kumbullat e pangrënshme të propagandës, se gjoja nuk komentojnë vendimet e gjykatave, këtë alibi ja ka shuar Rama, ishte ai që në parlament e paralajmëroi në 3 seanca dënimin tim politik. Ishte Rama vetë që  dhe pas vendimit, i doli për zot dënimit, duke i dhënë argumenta gjykatës që ende sot nuk po i shpall. E vërteta vonon, por nuk harron!”, thotë Salianji në reagimin e tij.

/tvklan.al