Penalizimi me katër vite i Pol Pogbasë për përdorim dopingu është reduktuar në 18 muaj pas apelimit të bërë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Pogba, i cili doli pozitiv për përdorimin e substancës dehidro-epiandro-steron në ndeshjen e parë të sezonit 2023/24, është i lirë që të fillojë të luajë sërish për Juventusin nga muaji mars i vitit 2025.

Gjykata kombëtare e Anti-dopingut në Itali pranoi kërkesën e bërë nga zyra e prokurorit anti-doing për t’i dhënë një dënim katër vjeçar në marsin e kaluar, që është edhe penaliteti standart referuar kodit botëror.
Me dënimin e mëparshëm, mesfushori francez rikthehej në fushë në mars të vitit 2027.

Një penalitet i tillë reduktohet vetëm në rastet kur një sportist mund të provojë se nuk ishte i qëllimshëm, ishte rezultat i kontaminimit, ose nëse mund të ofrojë “asistencë të konsiderueshme” përgjatë hetimeve.
Pogba mund të rikthehet e të stërviet me Juventusin nën drejtimin e trajnerit Tiago Mota që nga muaji janar, por për të luajtur ai do të duhet të presë edhe 8 javë të tjera. 31 vjeçari është një futbollist që ka pasur një karrierë të suskesshme.

Ai ka fituar Kupën e Botës dhe Ligën e Kombeve me Francën, Ligën e Europës dhe dy Carabao Cup me Manchester United dhe 4 Serie A, 2 Kupa të Italisë dhe 3 Superkupa te Italise me “Zonjën e Vjetër”.
Me bardhezinjtë Pogba ka 190 paraqitje dhe 34 gola, ndërsa me ‘Djajtë e Kuq’ në 233 sfida realizoi 39 gola.

Klan News