Është ora 9 e mëngjesit në një periferi të Kabulit ku dy gra me burka në rozë të çelët i bien ziles së një ndërtese të rrënuar. Fasada është një kujtesë e heshtur e atmosferës së zymtë që rëndon në kryeqytet. “Mund të na lësh të hyjmë?”, përshpërisin ato.

Një grua e quajtur Sonia hap derën. Përpara fitores së talebanëve në 2021, kjo parukiere 56-vjeçare nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej të punonte fshehurazi. Pasi fut klientet, Sonia shpalos mekanikisht në tavolinë arsenalin e saj të bukurisë: paleta grimi, tharëse flokësh, piaster, dyllë,  rimel, manikyr, thonj falsë, laps e furça. Të gjitha janë aty.

Salloni i fshehtë i bukurië mund t’i kushtojë një gjobë, burgun apo edhe më keq. Por Sonia nuk e lë frikën ta mposhtë. Nëse ajo nuk përqendrohet, peneli nuk do të aplikohet si duhet dhe klientet nuk do të kthehen më.

Çfarë mund të bëj për ju?”, i pyet ajo klientet e saj që janë të dyja rreth të njëzetave. Në një nga vendet më shtypëse të botës ndaj gruas, mirësjellje të tilla janë bërë të rrezikshme.

Talebanët njoftuan mbylljen e salloneve të bukurisë në Afganistan në korrik 2023 duke thënë se shërbimet që ato ofronin si formësimi i vetullave dhe makijazhi, po cenonin ligjet islamike.

Në një vend me më shumë se 12.000 sallone, mbyllja pati një efekt shkatërrues në më shumë se 60.000 gra që punonin në këtë sektor, raporton “The Guardian”. Sallonet kishin shërbyer edhe si një funksion i rëndësishëm social për gratë afgane sepse ishin një hapësirë e sigurt, femërore ku mund të takoheshin jashtë shtëpive pa një shoqërues me vete.

Pavarësisht rrezikut, disa profesioniste të fushës kanë vazhduar të punojnë për të ushqyer familjet: vështirësitë ekonomike janë një faktor kryesor në sektorin afgan të bukurisë.

Refuzoj t’i martoj vajzat e mia për para. Më duhet të fitoj jetesën”, shprehet Amina, një 37-vjeçare që ka më shumë se 15 vite që punon në industrinë e bukurisë.

Disa gra i transformojnë shtëpitë e tyre në sallone. Të tjera shkojnë në shtëpitë e klienteve, por në mënyrë që të grimojnë fytyrat që regjimi i talebanëve kërkon të fshehë, ndjekin rregulla strikte.

Ne përdorim teknika që mos të arrestohemi. Për shembull, klientet e mia veshin burka me ngjyra specifike që unë t’i dalloj. Nuk bëj kurrë të njëjtën rrugë dhe i shmang oraret e rregullta”, tregon një prej tyre.

Asgjë nuk i lihet rastësisë. Edhe qesja plastike ku mbahen produktet zgjidhet me kujdes. Amina përdor një qese nga një dyqan i njohur fruta-perimesh. “Kjo qese është alibia jonë. Estetiste të tjera preferojnë t’i fshehin produktet e ndaluara poshtë burkës së tyre”.

Jemi të gjitha të burgosura të talebanëve. Unë linda grua dhe ky është krimi im më i madh. Çmimi i bukurisë sime është çmimi i lirisë sime. Do të preferoja të sakrifikoja ca vakte dhe të bëja flokët e vetullat”, thotë Noor.

Ajo që dikur ishte zakon tashmë është një luks i rrezikshëm. “Dëgjonim muzikë dhe visheshim si perëndimore. Ishte momenti ynë i lirisë”, shton një pedagoge që përpara se të vinin talebanët, shkonte në sallonin e bukurisë çdo dy javë. Tani ajo bën një trajtim klandestin çdo dy muaj dhe mban doreza për të fshehur thonjtë e lyer me kujdes kur del.

Nën burkën e trashë e të kadifenjtë blu, shumë gra në Afganistan janë të mbajtura mirë, sidomos ato që mund ta përballojnë.

Si çdo grua në botë, unë dua të jem e bukur. Talebanët mund të më ndalojnë të punoj dhe të eci vetëm, por nuk do të munden kurrë të kontrollojnë bukurinë time. Është gjithë ç’më ka mbetur”, thotë një kliente që sjell vajzën e saj 19-vjeçare në sallon për të festuar kalimin e saj nga adoleshente në të rritur.

Parukieret rrezikojnë të spiunohen nga fqinjët, distributorët apo klientet false që janë informatore të talebanëve. Rreziku është përshkallëzuar nga mbikëqyrja  masive, e prezantuar prej talebanëve për të përforcuar interpretimin e rreptë të ligjit të sheriatit.

Njëra prej kolegeve të mia u arrestua nga talebanët për shkak të sallonit të saj të fshehtë. Askush s’ka marrë më vesh gjë për të, i trembem më të keqes”, thotë Sonia.

Me ardhjen e talebanëve në pushtet, 21 milionë gratë e vajzat e Afganistanit janë privuar nga të drejtat më themelore. Të kyçura në shtëpi, pa mundur të studiojnë, punojnë apo ecin lirshëm, numri i grave të vetëvrara është rritur, ndërsa krimet seksuale janë të larta.

Njësoj si me regjimin e parë, gjykatësit nxiten që  të urdhërojnë fshikullimin kur japin vendimin e dënimit. “Gratë afgane janë tashmë të vdekura. Ata mund të na qëllojnë me gurë dhe të na fshikullojnë, por unë do të vazhdoj të grimoj klientet e mia. Kam frikë, por nuk ka rrugë tjetër”,  thotë Amina.

Shënim: Për të mbrojtur identitetin e grave, “The Guardian” ka ndryshuar të gjithë emrat./tvklan.al