Ivan Gershkovich, gazetari i Wall Street Journal i dënuar me 16 vjet burg për spiunazh dhe ish-marinsi amerikan Paul Whelan janë liruar nga Rusia si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mesin e tyre sipas Reuters janë 26 persona, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, që janë liruar nga burgjet ruse, pasi ishin dënuar apo akuzuar për akuza që ata i kanë mohuar. Në këmbim, në Rusi janë kthyer tetë rusë.

Shkëmbimi i të burgosurve u realizua në aeroportin e Ankarasë dhe përfshin 26 persona nga burgjet e 7 vendeve të ndryshme, SHBA, Gjermani, Poloni, Slloveni, Norvegji, Rusi dhe Bjellorusi.

Këtë e ka bërë të ditur Presidenca e Republikës Turke, duke konfirmuar se operacioni është i koordinuar nga shërbimet sekrete të Ankarasë.

Për këtë operacion reagoi dhe presidenti i SHBA-ve Joe Biden, i cili tha se të gjithë ata duruan vuajtje dhe pasiguri të paimagjinueshme dhe sot agonia e tyre ka marrë fund.

Ky është shkëmbimi më i madh në histori ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë, që pas Luftës së Ftohtë.

Tv Klan