Kreu i grupit parlament të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dhënë detaje në lidhje me samitin mes BE dhe Ballkanit Perëndimor që pritet të mbahet më 6 Dhjetor në Tiranë. Balla u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se liderët e BE-së pritet që të mbërrijnë në kryeqytet pasditen e 5 Dhjetorit ndërsa samiti fillon dhe mbaron punimet më datën 6. Ai u shpreh se ky samit është historik.

“Data 6 është data e samitit, në fakt, një pjesë e udhëheqësve të vendeve të BE duhet të mbërrijnë që në datën 5 pasdite dhe pastaj gjatë gjithë datës 6 do të zhvillojë punët samiti. Samiti i parë i këtij niveli që zhvillohet në Shqipëri, madje dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku të gjithë udhëheqësit e BE, të 27 kryeministrat apo presidentët do të takohen me 6 udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. E quaj një samit historik po të kemi parasysh kontekstin e rëndësishëm dhe të vështirë gjeopolitik që ndodhemi për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës prej 24 Shkurtit.

Samiti është brenda datës 6. Fillon dhe mbaron në datën 6. Natyrshëm është edhe në një kontekst tjetër. Mos të harrojmë që Shqipëria ka marrë presidencën e Procesit të Berlinit dhe të gjitha këto ndërthuren me njëra-tjetrën dhe po të kemi parasysh që kemi faktin që Shqipëria prej 19 Korrikut bashkë me RMV kanë filluar bisedimet për anëtarësim, pra kanë hapur negociatat duke pasuar me procesin screening”, tha Balla.

Balla tha se pritet që të vijnë të gjithë liderët e BE-së.

“Të gjithë. Sa kohë që është samit, niveli i përfaqësimit është vetëm në nivel kryeministrash, flas këtu për rastin e Gjermanisë në nivelin e Kancelarit Scholz apo kryeministra të vendeve të tjera, apo Presidentash siç është në rastin e Francës, e me radhë”, u shpreh Balla./tvklan.al