Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot pasdite dhe nesër, për të diskutuar rreth integrimit të Ballkanit Perëndimor në union. Sipas mediave ndërkombëtare diskutimet do të fokusohen tek perspektiva e anëtarësimit për Serbinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pas disa javësh mosmarrëveshje mbi formulimin e një deklarate të samitit, negociatat në prag të samitit në Slloveni duket se kanë dhënë rezultate, me draft dokumentin e fundit që thotë se BE “rikonfirmon angazhimin e saj ndaj procesit të zgjerimit“.

Ne gjithashtu kujtojmë rëndësinë që BE mund të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj“, citon Euroaktiv dokumentin e BE.

Në samitin që do të zhvillohet në Slloveni do të diskutohet gjithashtu për përmirësimin e bashkëpunimit që synon rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit nga pasojat e pandemisë Covid-19, si dhe zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve me vlerë 30 miliardë Euro, e cila do të sigurojë ndihmë financiare për rajonin.

Sllovenia që mban dhe presidencën e BE, ka paraqitur si objektiv vitin 2030 si afat kur të gjashtë shtetet ballkanike të anëtarësohen me të drejta të plota në BE ndërsa nuk dihet nëse të gjithë liderët do te pranojnë të vënë afate të tilla./tvklan.al