Një autokolonë me eshtrat e 14 viktimave të genocidit në Srebrenicë parakaloi të martën në Sarajevë, në prag të shënimit të përvjetorit të 29-të të masakrës.

Rrugës për në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku edhe do të varrosen më 11 korrik, autokolona u ndal për pak kohë para ndërtesës së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës në qendër të qytetit.

Eshtrat e viktimave që do të varrosen, u identifikuan gjatë vitit të kaluar.

Viktima më e re është Beriz (Omer) Mujiç, i cili në kohën kur ndodhi genocidi më 1995, ishte 17 vjeç, ndërsa viktima më e vjetër është Hamed Salliç, atëkohë 68 vjeç.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjes vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995. Në atë kohë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si genocid.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Genocidit në Srebrenicë.

Deri më tani, mbi 6.650 viktima të genocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari. Më shumë se 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.

Gjykata të ndryshme kanë dënuar deri tani më shumë se 50 persona, me më shumë se 700 vjet burg, për genocid dhe krime të tjera në Srebrenicë./REL