Shtetet e Bashkuara kanë ngritur aktakuzë kundër dy menaxherëve të një televizioni shtetëror rus dhe e kanë akuzuar Kremlinin për kryerjen e një operacioni të fshehtë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Nëntorit në SHBA.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tha se televizioni RT, i njohur më parë si Rusia Sot, dhe dy menaxherët e tij me bazë në Moskë, e kanë orkestruar “një skemë në vlerë 10 milionë dollarë për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje te qytetarët amerikanë me mesazhe të fshehta të qeverisë ruse”.

Garland gjithashtu njoftoi se Departamenti amerikan i Drejtësisë i ka konfiskuar 32 domene interneti të përdorura nga aktorët rusë si pjesë e operacionit të dyshuar për të ushtruar ndikim.

Synimi i Moskës ishte ta siguronte një “rezultat të parapëlqyer” në garën presidenciale mes Donald Trumpit dhe Kamala Harrisit, tha ai.

Kremlini e ka përdorur RT-në dhe platformat online që i mbështet për t’i targetuar votuesit amerikanë me dezinformata, tha Departamenti. RT-ja shihet si pjesë shumë e rëndësishme e përpjekjeve të Kremlinit për propagandë.

“Njoftimi i sotëm vë në pah shkallën e operacioneve të qeverisë ruse për të shtruar ndikim dhe varësinë e tyre në IA [inteligjencën artificiale] të avancuar për të mbjellë dezinformata”, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wary.

“Njoftimi i sotëm tregon se sa larg shkojnë qeveritë e huaja për t’i minuar institucionet demokratike amerikane”, tha Departamenti amerikan i Shtetit në një njoftim.

DASH paralajmëroi se “këto qeveri të huaja duhet ta dinë gjithashtu se ne nuk do t’i tolerojmë aktorët e huaj dashakeq të ndërhyjnë qëllimshëm dhe t’i minojnë zgjedhjet e lira dhe të drejta”.

Një muaj më parë, zëvendësprokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Lisa Monaco, tha në një fjalim se Rusia ishte kërcënimi kryesor për zgjedhjet në SHBA.

Shtetasit amerikanë do të votojnë më 5 nëntor në zgjedhjet presidenciale.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është kandidat i republikanëve në këtë garë, derisa nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, pritet të shpallet kandidate e demokratëve.

Zgjedhjet do të mbahen edhe për 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 34 prej 100 ulëseve të Senatit./REL