Agresori që vrau katër persona  dhe plagosur nëntë të tjerë në një shkollë të mesme në Georgia u intervistua vitin e kaluar nga policia për kërcënime anonime në internet.

Colt Grey, 14 vjeç, mohoi para agjentëve të FBI-së në Maj 2023 se ai kishte postuar në rrjete sociale imazhe të armëve, duke paralajmëruar për të shtënat në shkollë. I dyshuari hapi zjarr në shkollën e mesme Apalachee në qytetin e Winder, duke vrarë dy mësues dhe dy nxënës. Tetë nxënës dhe një mësues u plagosën.

Ai u arrestua në kampus dhe do të ndiqet penalisht. Autoritetet kanë bërë të ditur se arma e përdorur ishte një “armë e stilit AR”. Në një deklaratë, FBI tha se Qendra e saj Kombëtare e Operacioneve të Kërcënimit kishte njoftuar forcat lokale të zbatimit të ligjit në Maj 2023 pasi kishte marrë kërcënimet në internet për të kryer të shtënat në shkollë në një vend dhe kohë të paidentifikuar.

I dyshuari, i cili në atë kohë ishte 13 vjeç, mohoi të kishte bërë kërcënimet në internet dhe zyrtarët paralajmëruan shkollat ​​lokale për monitorimin e vazhdueshëm. Në atë kohë, nuk kishte asnjë arsye të mundshme për një arrestim apo për të ndërmarrë ndonjë veprim shtesë në nivel lokal, shtetëror apo federal”, thuhet  në deklaratën e FBI-së.

Shkolla e mesme kishte marrë një kërcënim telefonik anonim para se të ndodhte sulmi. Telefonata e së mërkurës në mëngjes paralajmëroi se do të kishte të shtëna në pesë shkolla dhe se Apalachee do të ishte institucioni i parë që do të shënjestrohej.

Në një reagim për këtë sulm presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se  Shtetet e Bashkuara nuk mund të pranojnë që të shtënat vdekjeprurëse në shkolla në vend të bëhen  të zakonshme .

“Ajo që duhet të ishte një fillim i lumtur i vitit shkollor në Winter, Georgia, po kthehet në një kujtesë të tmerrshme: dhuna me armë vazhdon të shkatërrojë jetën e bashkëqytetarëve tanë,” tha presidenti amerikan, duke i bërë thirrje përsëri Kongresit të veprojë, kryesisht për ndalimin e armëve.

Donald Trump e quajti autorin e të shtënave vdekjeprurëse në  shkollën e mesme në Georgia një “përbindësh të sëmurë dhe të çmendur”.

 “Këta fëmijë të dashur na u morën shumë shpejt nga një përbindësh i sëmurë dhe paranojak”, u shpreh kandidati republikan për president në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social.

 Ky ishte sulmi i 23-të në shkollë në SHBA i vitit 2024, e cila numëron 11 të vdekur dhe 38 të plagosur në sulme të tilla deri më tani këtë vit.

Klan News