Në pritet të një armëpushimi, në Gaza vijojnë luftimet. Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës shkaktuan të paktën 61 të vrarë gjatë 48 orëve të fundit, sipas autoriteteve vendore palestineze, ndërsa punonjësit e shëndetësisë po mbyllin fazën e dytë të një fushate urgjente vaksinimi kundër poliomielitit që synon të parandalojë përhapjen në shkallë të gjerë të virusit.

11 muaj pas fillimit të luftës, kanë dështuar një sërë përpjekjesh diplomatike për arritjen e një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe për të bërë të mundur lirimin e pengjeve.

Palët luftuese kanë fajësuar njëra-tjetrën për dështimin e negociatave për armëpushim, në të cilat janë të përfshira Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari.

Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, që po drejton negociatat nga pala amerikane, tha gjatë një takimi në Londër se në ditët në vazhdim do të paraqitet një plan më i hollësishëm për armëpushim në Gazë.

“Ne do të shpalosim një propozim më të hollësishëm gjatë ditëve të ardhshme dhe më pas do të shohim”, tha ai. Sipas tij, kjo është një çështje e vullnetit politik. Zoti Burns tha se shpreson që udhëheqësit nga të dyja palët do të kuptojnë se tani është koha “për të bërë zgjedhje dhe kompromise të vështira”.

Lufta në Gazë filloi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraeli më 7 tetor, që sipas autoriteteve izraelite la 1200 të vrarë, kryesisht civilë. Hamasi besohet se mban akoma më shumë se 100 pengje. Autoritetet izraelite vlerësojnë se rreth një e treta kanë vdekur.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 40,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në bilanc. Ministria raporton se më shumë se 94,000 njerëz janë plagosur që nga fillimi i luftës.

Klan News