Të ftuar:

Paulin Vilajeti – pastor

Çenkuela Hasa – moderatore

Robert Aliaj – artist

Entela Binjaku – sociologe

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Petë me miell misri dhe presh

1,2 kg presh

3 vezë

1 gotë vaj

1 gotë qumësht

2 gota kos

550 gr miell misri (4 gota)

4 gota ujë të valuar

1 gotë miell gruri

1 pako pluhur pjekës

250 gr djathë i bardhë

Kripë

Pastrojmë preshët dhe i presim ata horizontalisht e më pas i grijmë hollë. I vendosim në një tigan, shtojmë pak kripë dhe vendosim kapakun që të djersiten. Shtojmë 3 lgj vaj dhe i kaurdisim deri sa të zbuten. Në një tas rrahim 3 vezë. Shtojmë në tas vajin, qumështin, kosin dhe i përziejmë mirë. Në një tas tjetër vendosim miellin e misrit dhe 1 lugë gjelle kripë. Shtojmë në të 3 gota ujë të valuar dhe përziejmë ujin e nxehtë me miellin e misrit. Më pas shtojmë në të tasin e përbërë me vezë, qumësht, vaj dhe kos.

Përziejmë miellin e misrit duke kontrolluar trashësinë. Shtojmë pak nga pak dhe gotën me miell gruri + pluhurin pjekës. Nga ky brumë heqim dhe lëmë mënjanë 2 garuzhde. Me pjesën e mbetur në tas përziejmë preshin dhe djathin e thërrmuar. Lyejmë një tepsi me vaj, e nxehim mirë atë dhe shtojmë brumin në tepsi. Brumin që lamë mënjanë, e hollojmë pak dhe mbulojmë komplet sipërfaqen. E spërkatim me pak vaj dhe vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 190-200 gradë për 30-35 minuta.

Djathë të skuqur me çervish

8 copa mesatare djathë të bardhë

60 ml vaj+ 1 lgj gjalpë

1,5 lgj miell

250 ml ujë ose dhallë

1 thelpi hudhër

Presim djathin në copa mesatare me trashësi 0,7 cm. I pudrosim copat e djathit me miell. Ngrohim vajin dhe skuqim copat e djathit deri sa të zverdhen nga të dy anët. Largojmë copat e djathit në një pjatë dhe në po atë yndyrë shtojmë miellin e mbetur dhe e skuqim, sa të marrë dhe ai një ngjyrë të verdhë.

Shtojmë një hudhër të shtypur dhe e shuajmë me ujë ose dhallë. Rregullojmë shijen me pak kripë e piper të zi. E lëmë çervishin të marrë valë duke rregulluar trashësinë si të dëshironi, duke shtuar pak ujë ose dhallë. Shtojmë në salcë dhe copat e djathit, me qëllim që çervishi të marrë shijen e djathit. E lëmë të valojë në temperaturë mesatare për 2-3 minuta e më pas e shërbejmë.

Filmi i animuar “Strange World”… Një fushëbetejë debati ndaj shfaqjes së pranisë homoseksuale

“Jam dhunuar në rrjete sociale nga komuniteti LGBT”, pastori: 30 vjet jam kujdesur për homoseksualë me SIDA

I ftuar sot në panelin e “Shije Shtëpie” në Tv Klan për të ndarë mendimin e tij mbi filmin e animuar “Strange World”, i cili trajton tema të komunitetit LGBT, pastori Paulin Vilajeti shprehu kundërshtimin e tij. Ndërsa të ftuarit paraqitën këndvështrimet e tyre mbi filmin dhe fenomenin nëse duhen mësuar fëmijët prej një moshe të hershme me tema të tilla, pastori tha se e konsideron dhunim e jo edukim.

Ai tha se nuk ka asgjë kundër komunitetit sepse ka qenë gjithnjë krah tyre, por edukimi i fëmijëve i duhet lënë në dorë prindërve dhe zgjedhjes së tyre, jo imponimit nëpërmjet produkteve kinematografike. Vilajeti vijoi më tej me përmendjen e një rasti që thotë se është dhunuar në rrjetet socialie nga komuniteti LGBT për shkak të shprehjes së mendimit të tij të kundërt.

Paulin Vilajeti: Unë kam qenë në një studio televizive dhe duke thënë siç thashë tani me sinqeritet, para Perëndisë, kush është homoseksual, unë kam një dashuri të barabartë me këdo, por vetëm thjesht duke thënë unë nuk jam dakord me këtë lloj dhune, ju nuk mund të imagjinoni si jam dhunuar në rrjetet sociale nga komuniteti i tyre. Unë mendoj personalisht që ne kemi arritur në një pikë ku ne nuk kemi të drejtë, vetëm këta kanë të drejtë?

Shiko, ne kemi një hapësirë që quhet hapësirë demokratike, por nuk  është hapësirë ku secili mund të  bëjë sipas interesit të vet. Ka disa kufij që janë integriteti im, unë jam një njeri që kam një integritet. Integriteti im është fjala e Zotit, Bibla. Dil dhe ma provo që Bibla e ka gabim. Nuk ka dalë askush në 2000 vjet të ma provojë pse më dhunon? Unë nuk po të dhunoj, unë të pranoj kështu siç je, unë lutem për ty dhe unë jam kujdesur vetë 30 vjet për homoseksualë  të cilët kanë qenë me SIDA. Kemi shkuar dhe jemi kujdesur që ata të kurohen. Për njerëz të cilët kanë qenë në nevojë, i  kemi qëndruar  pranë në ndihma të ndryshme.

Ore më falni, çfarë  kërkoni më shumë nga ne?  Ne që jemi pastorë dhe del ai dhe më diskrediton mua që unë kam 30 vjet dhe i jam kushtuar njerëzve që janë në nevojë, përfshirë dhe këta dhe njerëz që nuk bëjnë asgjë në këtë botë përveçse dhunojnë për shkak të një krevati që duan ata të flenë dhe nuk i kanë ofruar shoqërisë asgjë, dalin dhe na dhunojnë ne, mua?