Përmirësohet situata nga zjarret në Dropull, kjo dhe për shkak të rënies së shiut në orët e pasdites. Për rreth 3 orë përhapja e flakëve të zjarrit rrezikoi disa banesa në fshatin Terihat.

Autoritetet urdhëruan evakuimin e banorëve të fshatit të cilët u ndihmuan nga forcat e policisë dhe të ushtrisë.

Për shkak të flakëve të mëdha dhe të tymit, u bllukua aksi nacional Gjirokastër – Kakavijë.

“Një situatë mjaft e vështirë në fshatin Terihat aty ku vatrat e zjarrit kanë marrë përmasa të mëdha duke bërë që banorët e fshatit Terihat të evakuohen nga ana e Policisë. Ndërkohë në terren gjenden forcat zjarrëfikëse e Policia”, raporton gazetarja Dornina Muhaj

Në terren u angazhuan forca të shumta të zjarrfikësve, por në disa zona ishte e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të vështirë.

Për të monitoruar situatën e zjarreve ishte edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai theksoi se ky është një zjarret më të mëdha në këto vitet e fundit. Ministri bëri të ditur se i janë drejtuar për ndihmë mekanizmit europian të emergjencave civile.

Taulant Balla: I favorizuar për shkak të terrenit dhe erës që ka bërë shpërndarjen e zjarrit në një gjatësi shumë të madhe duke përfshirë tre bashki. Jemi në kontakt me qendrën e mekanizmit Europian të solidaritetit përmes të cilit duam të vazhdojmë luftën edhe nga ajri.

Gjatë paradites së të enjtes, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se në 24 orët e fundit u regjistruan 23 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë shuar. Për shuarjen e zjarreve ky institucion thotë se u angazhuan 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura dhe atyre të rendit, të cilat u ndihmuan nga një helikopter Cougar dhe 2 avionët kanad-er të nga Greqia.

Klan News