KPK: Nure Dreni nuk justifikonte pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit, Nure Dreni. Sipas hetimit administrativ, gjyqtarja nuk mundi të justifikojë pasurinë me burime të ligjshëm. Bëhet fjalë për dy apartamente, një në Tiranë dhe një në Golem, si dhe një automjet. Gjithashtu Komisioni vlerësoi se Dreni gjatë viteve 2011-2014 ka pasur pamundësi financiare për shkollimin e vajzave të saj në Angli.

Largimi i kësaj gjyqtareje pritet të rëndojë situatën në një nga gjykatat më të rëndësishme në vend. Apeli i Posaçëm, sipas ligjit, duhet të ketë në përbërje 11 gjyqtarë, por aktualisht aty ushtrojnë detyrën 5 të tillë. Pjesa tjetër e gjyqtarëve janë shkarkuar nga vetingu dhe zëvendësimi i tyre nuk është kryer ende.

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit janë duke u zhvilluar procese të rëndësishme, si ai ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku në datën 24 Qershor do të lexohej vendimi. Pjesë e trupës ishte edhe Nure Dreni, ndërsa mbetet e paqartë se si do bëhet zëvendësimi i saj brenda 7 ditësh, apo do të shtyhet vendimi për Tahirin.

Në rastin më të mirë, nëse 3 anëtarët e tjerë të gjykatës nuk kanë konflikt interesi me çështjen “Tahiri”, do të shqyrtohen dhe njëri prej tyre zgjidhet pjesë e trupës gjykuese. Në rastin se gjyqtarët e GJKKO do të kenë konflikt interesi, procesi ndaj Tahirit futet në ngërç për shkak se zëvendësimi i gjyqtarëve të posaçëm është i vështirë. Kjo për faktin se apelet e rretheve nuk kanë tagër për t’i zëvendësuar.

Tv Klan