Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, letër bashkive: Merrni masa

Shkodra, Kukësi dhe Dibra duhet të marrin masa pasi rrezikohen nga përmbytjet për shkak të reshjeve të shiut këto 7 ditë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka dërguar këtë letër kryetarëve të bashkive dhe prefekturave që rrezikohen nga reshjet e shiut.

Në letrat e Siguruar nga TV klan që mbajnë datën 18 Janar, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, nisur edhe nga të dhënat e Institutit të Gjeoshkencës Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, u kërkon bashkive dhe prefekturave që të marrin masa pasi reshjet e shiut pritet të shkojnë deri në 230mm/24 orë në Shkodër, Kukës dhe Dibër. Reshjet me intensitet mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të ujit  të lumenjve Drin, Mat, Shkumbin, Seman dhe Vjosë, dhe në veçanti në Basenin e Drinit.

“Me qëllim ruajtjen e jetës dhe pronës së popullatës, gjësë së gjallë, kërkohet nga ana juaj  marrja e masave përgatitore dhe parandaluese për përballimin e situatës së pritshme, intensifikimin e punës për vënien në gatishmëri të strukturave operacionale vendore dhe marrjen e masave nga strukturat përgjegjëse në rast se do të jetë e nevojshme evakuimin dhe akomodimin e personave dhe gjësë së gjallë”.

Për këtë arsye  Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kërkon marrjen e masave dhe evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë në ato zona ku shihet me rrezik nga reshjet. Sipas sinoptikanëve kjo situatë pritet të zgjasë deri javën tjetër ku intensiteti i reshjeve do të ulet.

Nënshkodra vijon të jetë ende problem nga situata e reshjeve një javë më parë. Afro 1500 Ha tokë ndodhet ende nën ujë.

Tv Klan