Rreth 2 mijë abonentë në Bushat të Shkodrës  do të përfitojnë nga investimet në nënstacionin elektrik 110 kilovolt. Ministri Energjisë Damian Gjiknuri dhe kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, Adrian Çela premtuan se gjatë një viti do të investohen  edhe 1.2 miliard lekë për përfundimin e 4 fiderave të tjerë. Duke u ndalur tek niveli i humbjeve në rrjet, Ministri Gjiknuri tha se Shkodra  mbetet ende  larg objektivit të vendosur.

“Investimet po vazhdojnë, pavarësisht se vjet ishte një vit i vështirë dhe me krizë prodhimi. Fatmirësisht, ky vit, të paktën nga ana e prodhimit do të jetë një vit i mirë, do të rikthehet niveli i investimeve të pranueshme, në mënyrë që ne të vazhdojmë të mbajmë ritmin që kërkon koha përsa i përket investimeve. Patjetër edhe pjesa e organizimit dhe menaxhimit në terren kërkon një punë më të mirë dhe këtu po e them edhe drejtuesve të Shkodrës, ka nevojë për një menaxhim shumë herë më të mirë sepse Shkodra fatkeqësisht akoma mbetet nga qarqet me nivelin më të lartë të humbjeve dhe që kjo gjë është e papranueshme”.

Ministri Gjiknuri tha se shëndoshja financiare e sektorit, por mbi të gjitha e Operatorit të Shpërndarjes, dhe rritja e investimeve, do të sjellë ulje të humbjeve në mënyrë drastike dhe një qëndrueshmëri më e mirë financiare.

Tv Klan