Gjykata: 1 vit burg për Alma Kaçin, akuzohet për prostitucion

Gjykata e Posaçame rrëzon akuzat e prokurorisë për korrupsion për Safet Gjicin dhe Alma Kaçin.

Gjyqtarët rikualifikuan veprën penale dhe e dënuan me 2 vite burg Safet Gjicin për shpërdorim detyre dhe 5 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike. Ndërsa protagonistja e videos erotike në zyrën e kryetarit të Bashkisë, Alma Kaçi u akuzua për prosititucion dhe u dënua me 1 vit burg.

Ne seancën e zhvilluar gjatë kësaj të mërkure, Safet Gjici ka ngritur gishtin e akuzës drejt rivalit të tij politik në Kukës, Abedin Oruçit duke deklaruar se ishte ai që pagoi Alma Kaçin për realizimin e kurthit dhe videos erotike. Ai ka mohuar akuzat për korrupsion duke deklaruar se projekti i rehabilitimit të qenve i premtuar për Kaçin nuk ishte dorëzuar në bashki dhe se nuk kishte asnjë zë në buxhet për realizmin e tij.

Ish-kryebashkiaku deklaroi se përplasja me ish-zyrtarin e lartë të PD-së Abedin Oruçin ka nisur që në 2019 kur i ktheu bashkisë së Kukësit 9.3 dynym tokë të rrethuar padrejtësisht prej tij dhe më tej kur nuk e lejoi të ndërtonte pa leje një objekt pranë liqenit të Fierzës.

Në seancë ai ka pretenduar se Alma Kaçi i ka dhënë edhe subtstanca narkotike me ndihmën e bashkëpuntorit të saj, dhe ky fakt është anashkaluar dhe nuk është hetuar.  

Ai u shfaq i përlotur në seancë kur pranoi se mori dënimin më të madh, atë moral, dhe u kërkoi falje familjarëve të tij dhe qytetarëve të Kukësit për ngjarjen.

Mbrojtja e Gjicit tha se prokuroria nuk gjeti pajisjen origjinale që u krye regjistrimi i videos seksuale ndërsa paralajmëroi apelim të vendimit.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Erjon Bani dhe Flojera Davidhi pasi gati 4 orë të mbledhur në dhomën e këshillimit. 40-vjeçarja Alma Kaçi nuk ishte e pranishme në këtë seancë.

Klan News