Ish-sulmuesi i Arsenalit, Fabian Caballero, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare, në Paraguai. Ai ishte duke luajtur një ndeshje në futsal (futboll me 5 lojtarë), kur ra papritmas në tokë.

Mediat paraguaiane raportojnë se Caballero pësoi një atak kardiak, teksa ishte duke luajtur me miqtë e tij.

Lajmi për ndarjen nga jeta, u bë i ditur nga vetë Federata e Paraguait.  “Federata e Futbollit të Paraguait shpreh keqardhje të thellë për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit Fabian Caballero, i cili pati një karrierë të jashtëzakonshme si në futbollin paraguaian dhe jashtë saj. Ne jemi me familjen dhe miqtë e tij në këtë moment e vështirë.”, shkruan Federata.

Caballero luajti me Arsenalin në sezonin 1998-1999, ndërsa karriera e tij ka qenë e shpërndarë në vende të ndryshme si Argjentina, Paraguai, Angli, Skoci, Kore e Jugut, Qipro, Kili, Greqi dhe Guatemalë. Ai u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2014. /tvklan.al