Një shpërthim i fortë ndodhi mëngjesin e kësaj të diele në një byrektore në rrugën “Ibrahim Rugova”, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Nga shpërthimi mbeti i plagosur pronari i biznesit Shkëlqim Plaku, 50 vjeç i cili mori plagë të rënda nga djegiet.

Menjëherë ky i fundit u dërgua në spitalin e djegie plastikës në Tiranë, ku edhe iu nënshtrua mjekimit dhe tashmë mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Zjarrfikësit që mbërritën në vendin e ngjarjes, mundën të vënë me shpejtësi zjarrin nën kontroll duke parandaluar përhapjen e tij më tej.

Dyshohet se shkak i shpërthimit ka qenë rrjedhja e gazit në një prej bombolave që përdoreshin për gatim në dyqan. Policia dhe zjarrfikësit po hetojnë shkaqet e ngjarjes, ndërsa ekspertët e Inspektoratit Qendror Teknik, po punojnë gjithashtu për të sqaruar shkakun e defektit në bombulën nga kishte rrjedhur gazi.

Tv Klan