Një  ditë pas mijërave shpërthime që tronditën Libanin, një valë e dytë u dëgjua në qytetet anembanë vendit. Një burim pranë grupit Hezbollah konfirmoi se pajisjet komunikuese të njohur si “pager” ose “beeper” të përdorura nga grupi militant ishin sërish në shënjestër të sulmeve të reja.

Tre persona u vranë në rajonin Bekaa në lindje të vendit gjatë shpërthimeve të fundit të këtyre pajisjeve ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Shpërthime të shumta u dëgjuan gjatë funeralit të katër luftëtarëve të Hezbollahut në Bejrut.

Përveç 12 viktimave, sulmi i së martës plagosi rreth 3,000 njerëz, duke përfshirë shumë luftëtarë të grupit militant dhe të dërguarin e Iranit në Bejrut. Të paktën 200 janë në gjendje kritike ndërsa të lënduarit kanë marrë dëmtime në fytyrë dhe duar. Agjencia izraelite e spiunazhit Mossad, kishte vendosur eksplozivë brenda këtyre pajisjeve. Hezbollahu është zotuar të hakmerret kundër Izraelit i cili nuk pranoi të komentojë mbi shpërthimet.

Të dyja palët janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza tetorin e kaluar, duke nxitur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, akuzoi Izraelin se po e shtyn Lindjen e Mesme në prag të një lufte rajonale, duke orkestruar një përshkallëzim të rrezikshëm në shumë fronte.

Hezbollahu, përfaqësuesi më i fuqishëm i Iranit në Lindjen e Mesme, tha në një deklaratë se do të vazhdojë të mbështesë Hamasin në Gaza dhe u zotua për një kundërpërgjigje ndaj masakrës së të martës që la mijëra të plagosur dhe të shtruar në spital e shumë viktima.

“Reuters” shkruan se sulmet kishin kohë që ishin planifikuar dhe pasojnë një seri vrasjesh të komandantëve dhe liderëve të Hezbollahut dhe Hamasit.

Klan News