Evropa Qendrore po përjeton përmbytjet e saj më të këqija në dekada, me vlerësimet e humbjeve ekonomike që tejkalojnë 1 miliard euro.

Vende si Austria, Republika Çeke, Polonia dhe Rumania janë ndër vendet më të goditura nga stuhia Boris, që ka çuar në humbje katastrofike ndërprerje të bizneseve dhe ndërprerje të tregtisë ndërkufitare.

Ministria polake e mbrojtjes tha se më shumë se 14,000 ushtarë janë vendosur në rajonet e goditura nga përmbytjet, me forcat e armatosura që përdorin helikopterë për të evakuuar njerëzit dhe për të forcuar mbrojtjen nga përmbytjet. Qytetet në jug të Wroclaw, si Lewin Brzeski, kanë ndjerë më shumë dëmet.

Situata mbetet kritike edhe në qytetet dhe fshatrat sllovake pasi dalja e lumit Danub bëri që të përmbyten një pjesë e madhe e tyre. Ministri i Mjedisit Tomas Taraba tha se  dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në mbarë vendin llogariten në 20 milionë euro.

Në Hungari, në qytetet historike të Vishegradit dhe Szentendre, në veri të Budapestit, autoritetet kanë vendosur diga të lëvizshme pasi  lumi Danub është rritur në nivele të frikshme.

Deri më tani kanë humbur jetën 22 persona, ndërsa sipas meteorologëve moti në rajon pritet të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, por stuhia Boris parashikohet të zhvendoset në veri të Italisë.

Klan News