12 persona humbën jetën dhe gati 3 mijë të tjerë mbetën të plagosur në Liban nga shpërthimi i pajisjeve të vogla të komunikimit, të njohura si “biper”. Ato përdoreshin nga anëtarët e Hezbollahut dhe shpërthyen njëkohësisht duke shkaktuar mes viktimave e të plagosurve edhe kaos.

Tashmë sytë kalojnë tek “koka” që fshihet pas këtij operacioni kaq të sofistikuar. Raportet tregojnë se pas tyre është Izraeli, ose më saktë agjencia e spiunazhit atje, Mossad-i. Në këtë artikull do t’ju tregojmë se çfarë është kjo agjenci që nuk është hera e parë që bën operacione kaq komplekse.

Biper që shpërtheu në Liban

Mossad-i është agjencia e Izraelit për inteligjencën e huaj, pra ekuivalente e CIA-s në Amerikë apo e MI6 në Britaninë e Madhe.

Ajo u themelua në vitin 1949 pak pasi Izraeli u bë zyrtarisht shtet dhe emri zyrtar është Instituti Qendror për Inteligjencë dhe Operacione Speciale.

Zyrtarisht Mossad-i ka tre funksione: të mbledhë inteligjencë jashtë vendit, të analizojë dhe operacionet jashtë shtetit.

Shefi i Mossad-it, David Barnea
Shefi i Mossad-it, David Barnea

Në praktikë, detyrat e agjencisë shtrihen edhe në krijimin e marrëdhënieve me fqinjët arabë të Izraelit, por që nuk janë publike. Për shembull, drejtori aktual i Mossad-it, David Barnea, ka qenë i përfshirë ngushtësisht në negociatat për lirimin e pengjeve të Hamasit, duke punuar me Egjiptin dhe Katarin.

“Famën” Mossad-it ia kanë dhënë operacionet e fshehta. Operativët e kësaj agjencie gjurmuan dhe vranë çdo person që ishte përgjegjës për masakrën e vitit 1972 ndaj atletëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut.

Adolf Eichmann në gjyq në Izrael pasi u kap nga Mossad
Adolf Eichmann në gjyq në Izrael pasi u kap nga Mossad

Para kësaj, një ekip i Mossad-it rrëmbeu në Argjentinë kriminelin nazist të luftës, Adolf Eichmann dhe e dërguan në Izrael ku u përball me drejtësinë e më pas u ekzekutua.

Së fundmi, agjencia ka penetruar edhe në sigurinë iraniane, duke lejuar agjentët e saj atje të vrasin disa shkencëtarë bërthamorë. Në Korrik, vranë edhe liderin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Raportohet se Mossad-i ka një buxhet vjetor prej 3 miliardë Dollarësh amerikanë dhe ka të punësuar 7 mijë burrë e gra. Mossad-i është një nga tre agjencitë e spiunazhit në Izrael./tvklan.al