Mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan u diskutua dhe për lajmet e rreme në portale ku shpesh cenohet dhe identiteti i qytetarëve.

Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias Koloreto Cukali deklaroi se në rast se një qytetar cenohet nga një portal online, mund t’i drejtohet Gjykatës me një padi. Një deklaratë e tillë, shkaktoi indinjatë tek gazetari Artan Hoxha i cili argumentoi se nga eksperienca e tij personale, nuk ka rrugë ligjore për të zgjidhur probleme të tilla.

Sipas Hoxhës, shumë portale janë terësisht anonimë dhe nuk gjendet personi që ka shkruar një lajm të pavërtetë apo denigrues.

Blendi Fevziu: Fola për të drejtën për t’u mbrojtur të një njeriu që sulmohet. Kur gazetari sulmohet, e mbrojmë dhe ne, themi të mbrohet shtypi, s’duhet prekur. Po ky qytetari që shkelet me këmbë pa të drejtë, ku do ankohet?

Koloreto Cukali: Do të jap përgjigjie për të dyja. Ka një ligj shumë të mirë për shpifjen, por njerëz që ngrenë padi ka shumë pak.

Blendi Fevziu: Ku do ta bësh padinë, ndaj kujt?

Artan Hoxha: Ndaj kujt do të bësh padi mo? Ku ka ligj, s’ka ligj fare! Po rri tani…Ai vë maskën, unë jam njeri që kam adresë, që më gjen, që dihet se ku jam. O vëlla, del ai dhe e shkruan në portal u vra filani, merrte gjithë dynjaja në telefon. Hajt ta gjej, si ta gjej?! Ka kohë që kam vdekur…

Blendi Fevziu: Nuk është zgjidhja ligjore Cukali, nuk ekziston!

Artan Hoxha: Ja fusin kot, nuk ekziston! Në cilën Gjykatë do vete unë nesër të ankohem? Ça i keni këto përralla or burrë se na mërzitët!

Koloreto Cukali: Pjesa më e madhe e portaleve janë të regjistruara, kanë nipt, pra kanë aktivitet ekonomik dhe gjenden shumë kollaj se kush janë. Juve mund t’ju sulmojnë edhe në Facebook./tvklan.al