Sipas klasifikimit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, vendi ynë ka rritur me 259.4 % fluturimet në tremujorin e dytë të këtij vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës.

Shqipëria renditet në vendin e parë të klasifikimit me rritjen më të madhe ndër 47 vende të Europës, çka tregon zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit. Siç vihet re në publikimin e fundit Shqipëria lë pas shumë shtete si Greqia, Portugalia, Turqia, Spanja apo Italia.

Të dhënat e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroportove janë publikuar edhe nga kryeministri Rama. Me ironi ai shkruan se kjo është një agjensi patronazhistësh të hapësirës ajrore.

Referuara të dhënave zyrtare vetëm në muajin qershor të këtij viti ka pasur rreth 410 mijë pasagjerë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023, ose e thënë ndryshe 61.6% më shumë.

Ndërsa për periudhën Janar-Qershor të vitit 2024 ka rreth 2 milionë pasagjerë më shumë apo 65% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Vetëm gjatë vitit të kaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u përpunuan mbi 7 milionë pasagjerë, shifër e cila pritet gati të dyfishohet deri në fund të këtij viti.

4.5 milionë turistë të huaj hynë në vendin tonë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023.

Klan News