Në Samitin e Kotorit ku u diskutua plani i ri i rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh kryeministri Rama i bëri thirrje BE që të garantojë kreditë që do të marrin në vijim shtetet ballkanike.

“Në kuadrin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve ne kemi 90% te totalit te parave te dhena prej 6 miliard eurosh  si hua dhe vetëm 10% te tyre si grante. Kështu që është bota e anasjelltë, e përmbysur në raport me Bashkimin Europian që kanë vetëm 10% hua dhe 90% grante. E kuptojmë, po dhe nuk e diskutojmë, por do të ishte fantastike sikur me ndihmën e Bankës Europiane të Investimeve ne të mund të nxisim e të bindim BE-në që të garantojë për huatë tona.”

Rama tha se “me planin e reformave shtetet ballkanike synojmë të jemi gati për BE-në në vitin 2027.”

Për momentin kryeministri kërkon nga BE-ja dhënien e statusit të vëzhguesit për shtetet ballkanike për t’u përfaqësuar në institucionet e saj politike dhe ekonomike.

“Kemi përgatitur planet individuale të reformave, kemi identifikuar nismat kyçe, të cilat do të na sjellin gradualisht më pranë tregut të përbashkët evropian ndaj synojmë të jemi gati në vitin 2027, bazuar sigurisht mbi praktikat e rregulloreve evropiane.Ne po negociojmë, për tu përfshirë si vëzhgues në të gjitha mekanizmat e nivelit politik e teknik të Bashkimit Europian.

Rama kërkoi nga Brukseli modernizimin e 10 pikave kufitare për lehtësimin e tregtisë dhe transportit mes Ballkanit Perëndimor dhe shteteve kufitare të BE-së duke i bërë një realitet korsitë e gjelbra. Ai propozoi rritjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, sigurisë kibernetike, migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, tregtinë dhe doganat në BE, për t’u përgatitur për anëtarësim të plotë në bashkimin doganor evropian.

Një tjetër propozim ishte ngritja e nje akademie për zhvillimin e kapitalit njerëzor  e atashuar me Kolegjin e Europës në kampusin e Tiranës. Realizimi i këtij progresi për kryeministrin Rama do të ishte i vështirë ose i pamundur pa zgjidhjen e konflikteve dypalëshe në rajon, duke nënkuptuar këtu konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë që kanë bllokuar vendimmarrjen në nismën rajonale të CEFTA-s që nga muaji dhjetor i vitit 2021.

Klan News