Shtëpia e gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare është një nga muzetë më të vizituar në Gjirokastër. Turistët jo vetëm vendas, por edhe shumë të huaj të cilët zgjedhin të qëndrojnë në “qytetin e gurtë”, nuk largohen pa parë shtëpinë ku Kadare është lindur dhe rritur. Interesi është shtuar gjatë këtij viti, ndërsa ata janë nga shtete të ndryshme kryesisht nga Europa.

Bruno Pjetri, ciceron: Që nga Janari dhe deri tani, sigurisht që vizitat në “Muzeun Kadare” janë shtuar në krahasim me vitet e tjera, kjo për vet faktin se veprat e tij janë përkthyer në mbi 50 gjuhë të botës. Ne ndjehemi shumë krenarë kur dëgjojmë nga vizitorët që e kemi njohur Gjirokastrën përmes veprës së Ismail Kadaresë. Dihet që Gjirokastra dhe Ismail Kadare janë bashkë. Gjithë ky rrugëtim i Kadaresë në letërsi është ndihmuar nga qyteti i Gjirokastrës dhe si të themi Gjirokastra duhet t’ia kthejë pas atë që Ismail Kadare ka bërë për këtë qytet.

Një nga veprat më të rëndësishme të shkrimtarit, Kronikë në Gur ua ka prezantuar lexuesve të huaj Gjirokastrën. E nisur nga çfarë kanë lexuar në këtë roman, të huajt shfaqin interes për banesën e Kadaresë dhe objektet brenda saj

Bruno Pjetri, ciceron: Vizitorët duan që të shohin nga afër dhe të prekin nga afër ambientet ku është rritur Ismail Kadare, nga këto objekte që ne kemi, por për më tepër të shohin ato që ai ka shkruar në romanin “Kronikë në gur”.

Ismail Kadare u nda nga jeta në 1 Korrik në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një pasuri të madhe në letërsi.

Klan News