Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Fillon seriozisht seriali i shtyrjeve dhe për seancat e gjyqit Hajdari. Seanca e tretë e dosjes së shumëpërfolur, si zakonisht ka sjellë në orën e përcaktuar të shtatë prokurorët e grupit të hetimit, ku nuk mungonte dhe prokurorja norvegjeze. Por seanca gjyqësore ka mbaruar brenda pak minutave. Sapo është bërë prezantimi i palëve nga gjyqtari Micko, ku prezent ishin të tre të pandehurit Fatmir Meta dhe vëllezërit Ismet e Isamedin Haxhia.

Problemi i mbrojtjes së të pandehurit tjetër Jaho Mulosmani ishte rishfaqur sërish. Avokati i caktuar nga gjykata Pëllumb Zaimi nuk është paraqitur për arsye shëndetësore. Gjyqtari Micko, ka kërkuar avokatëve të tjerë nëse e merrnin përsipër për sot mbrojtjen e të akuzuarit kryesor të çështjes, por asnjëri prej tyre nuk pranoi. Ndërsa Izet Haxhia do të mbrohet nga Fatos Shanaj.

Për mungesën e seriozitetit nga avokatët, kanë protestuar dhe prokurorët të cilët shfaqën frikën e virusit shtyrje, por kjo nuk e ka penguar gjyqtarin Micko, ta mbyll seancën gjyqësore dhe ta shtyjë atë më 25 Prill, duke shtyrë dhe afatet e paraburgimit për tre të pandehurit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj