Seanca e radhës gjyqësore për autorët e vrasjes se 22-vjeçarit Marvi Mihali është zhvilluar në tension të lartë. Prindërit e viktimës kanë akuzuar familjet e autorëve për mungesën e një ndjese për ngjarjen e rëndë. Ndërsa shkak për tensionet është bërë edhe një padi dëshmpërblimi, të cilën sipas prindërve të autorëve, e kanë bërë prindërit e Marvi Mihalit. Por kjo është mohuar me forcë nga Pavlo dhe Mira Mihali.

Situata e krijuar bëri që Gjykata të ndërpesë seancën ku do të lexoheshin konkluzionet e mbrojtjes, duke shtyrë procesin për në datën 26 Mars. Ajo që ndodhi brenda në sallë u rekflektua edhe jashtë saj, ku prinderit e Marvi Mihalit sqaruan edhe njëherë se nuk kanë bërë një padi dëmshpërblimi dhe se kërkojnë drejtësi, ndryshe do të funksionojë Kanuni.

Pavlo Mihali:

Në mënyrën më absolute ne nuk kemi kërkuar asnjë lloj dëmshpërblimi. Nuk mundet kurrë të lajë gjakun e djalit tim me Lekë. Këto janë shpifjet e asaj familje kriminale. Familje që ka pjellë kriminelë. Dënoj gjestin e tij dhe hedh me neveri të gjitha deklaratat që ka dhënë ky njeri që bashkëshortja ime duke u përgjigjur në sallën e gjyqit për problematikat që kishte, ai çohet edhe e ndalon duke shkelur të gjithë etikën njerëzore dhe të gjithë etikën profesionale të një gjyqi. Unë do t’i them: Deri tani është bërë diversion i hapur kundrejt Marvi Mihalit. Duke filluar që nga familjarët, që nga kriminelat që ma vranë, 4 kriminela, e deri te avokatët, deri te prokurori Artan Lulaj, i cili fatkeqësisht akoma ndodhet në sistemin e drejtësisë, ky diversion i hapur do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë, gjthë drejtësia tani ndodhet në dorën e trupit gjykues. Ju them këtyre gjykatësve: Dëmi që i bën një shoqërie 100 kriminela është shumë herë më i vogël se sa dëmi i një gjykimi të padrejtë që mund t’i bëhet djalit tim. Për këto unë kërkoj drejtësi. Në momentin që nuk do bëhet drejtësi, në qoftë se nuk do bëhet drejtësi, atëherë le të funksionojë ligji i Kuranit dhe ligji i Kanunit. Unë do të flijohem. Sepse kam përballë kriminela, kam përballë baballarë kriminelash. Si guxojnë ata të çohen në sallën e gjyqit dhe na ofendojnë, edhe bashkëshorten time, edhe unë. Këtu ka shkresa. Ai do të përballet me ligji”.

Mira Mihali:

Nuk do ndaloj asnjë minutë, deri në fund. Deri më sot kemi thënë që do presim drejtësinë. Sot e tutje po them: Drejtësinë do ta vendos me çdo kusht deri sa të kem frymë. Nuk do rri më duke recituar Migjenin “si nuk kam një grusht të fuqishëm”. Boll i kam duruar baballarët e kriminelave, duke më prekur, duke më hedhur vështrime. Nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe tani vazhdon ngrihet atje dhe gënjen edhe shpif. Unë nuk e di ky gjyq vendoset për të bërë drejtësi për Marvin Mihalin apo për t’i lehtësuar. Edhe prokurori tha, Eugeni të dënohet 18 vjet se ka lehtësi që është dorëzuar. S’është dorëzuar, e nxorri ai Artan Lulaj. E nxorri ai, ishte brenda. Siç ikën ata dy të tjerët që po bëjnë pushime nëpër ishujt e Greqisë. Kurse djali im po tretet në dhe. Unë do ta ndjek deri në një këtë çështje, por jam shumë e prekur nga shpifje të tilla. Ja therrshin djalin me thika atje në burg. Ja derdhshin gjaku atje dhe ta shikojë. Do bëjnë dot pazare. Ka çmim për gjakun e fëmijëve të tyre? A ka çmim? E provofshin në kurrizin e vet dhimbjen e madhe që po provoj unë çdo ditë që po kalon”.

Ndërsa familjarët e autorëve theksuan se prindërit e viktimës kërkojnë dëmshpërblim.

Dy javë më parë, Prokuroria kërkoi 87 vite burg në total për katër të rinjtë që akuzohen per vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali Korrikun e vitit 2017 në Tiranë. 24 vite u kërkuan për Dejvi Bitrjan, 18 për kushëririn e tij Eugen Bitarj, për Marsel Allën 25 vite ndërsa për vëllain e tij Gridensin 20 vite burg. Këta dy të fundit janë në kërkim pasi nuk janë arrestuar ende nga policia.

Tv Klan