Zjarri që përfshiu fabrikën e prodhimit të lëndëve plastike në ish-kombinatin metalurgjik të Elbasanit rreth orës 14:40 është fikur totalisht.

Sipas informacioneve të shërbimit zjarrfikës të këtij qarku është bërë e mundur fikja përfundimtare e zjarrit si dhe janë shpëtuar fabrikat e tjera të cilat ndodheshin përreth dhe ishin të rrezikuara nga përhapja e flakëve.

Gjatë një prononcimi për mediat shërbimi zjarrfikës theksoi se zjarri ka rënë për shkaqe aksidentale. Ndërkaq informon se përveç dëmeve materiale nuk ka persona të lënduar.

“Siç jemi njoftuar rreth orës 14:40 minuta për një zjarr të rënë një një fabrikë përpunimi plastike, ku zjarri ka përfshirë pjesën e jashtme të fabrikës, janë përfshirë tuba plastikë dhe arka. Është bërë izolimi i vatrës së zjarrit duke shpëtuar fabrikat që ndodheshin ngjitur. Në operacion kanë marrë pjesë 10 mjete zjarrfikëse nga bashkitë e qarkut gjithashtu edhe nga ushtria. Rreth 30-40 efektivë zjarrfikës, të cilët bënë të mundur shuarjen përfundimtare të zjarrit. Nga ky zjarr nuk ka asnjë të lënduar apo të aksidentuar. Shkaku i këtij zjarri paraprakisht dyshohet të jetë aksidental.”

Më tej ata theksojnë se puna për vënien në kontroll të flakëve dhe deri në fikjen e tyre ka qenë shumë e vështirë për shkak të lëndës plastike dhe është dashur përdorimi i maskave kundragaz.

“Këto janë zjarre të vështira sepse janë lëndë plastike, lehtësisht të djegshme dhe janë shumë të vështirë, pasi duhet të punosh me kundragaz. Por me mbështetjen e të gjithë qarkut dhe të Tiranës u bë lokalizimi i plotë i zjarrit deri në shuarjen e tij.”

Në këtë operacion morën pjesë rreth 40 efektivë zjarrfikës nga bashkitë e qarkut dhe të Tiranës, si dhe forca të shërbimit policor./tvklan.al