Të gjithë prindërit e dinë se nuk ka asnjë magji e cila i detyron foshnjet të qetësohen e të flenë vetë, por një studim i shkurtër ka treguar se ka disa mënyra qetësimi, të cilat janë me efektive se të tjerat.

Sipas studimit nëse doni të qetësoni një foshnje ndërsa qan, qëndrimi ulur me ta në krah, nuk do të funksionojë. Madje kjo mund të shtojë rrahjet e zemrës te foshnjet e t’i shqetësojë edhe më shumë ato.

Mënyra më e mirë, është që prindërit të shëtisin ndërsa i mbajnë foshnjet në krahë. Kjo metodë i ul rrahjet e zemrës dhe i bën ato që të bien në gjumë. Vetëm pas 5 minutash shëtitje me foshnjet në krahë, gjysma e grave pjesëmarrëse në studim arritën t’i vinin foshnjet në gjumë.

“Foshnjet janë qetësuar dhe kanë rënë në gjumë për 5 minuta, ndërsa shëtiteshin duke u mbajtur në krahë, kjo ka rezultuar efektive edhe gjatë orëve të ditës ku foshnjet janë zakonisht zgjuar”, shpjegojnë studiuesit.

Por pas kësaj vjen sfida tjetër për prindërit. Si ta vendosin foshnjen që tashmë e ka zënë gjumi në shtrat. Çdo prind e di që ky është një hap “i rrezikshëm”.  Shpesh një bebe do të zgjohej sapo koka e tij të kthehej paksa duke e fshirë të gjithë punën e vështirë të bërë deri më tani.

Ajo që rezultoi interesante është se prindërit që u ulën me të vegjlit për 5 minuta, pasi i kanë shëtitur në krahë, kanë pasur më shumë rezultate për t’i vënë fëmijët në gjumë. Madje as një prekje e lehtë apo mbyllja e derës, nuk do ua prishte rehatinë.

Studimi i publikuar në Science Alert, sugjeron që “për ta mbajtur të sigurt, fëmija duhet të lidhet pas trupit me mbështjellëse dhe koka e foshnjes duhet të jetë e mbështetur. Pesë minuta ecje me foshnjen në krahë duhet të jetë në një sipërfaqe të pastër, vend të qëndrueshëm e mundësisht pa ndalesa dhe kthesa, shto këtu pesë minuta qëndrim ulur dhe shanset që foshnja të zgjohet janë të pakta”.

Studime të tjera kanë treguar se foshnjet e njerëzve, si edhe pasardhësit e gjitarëve të tjerë qetësohen ndërsa mbahen nga nënat e tyre, ky fenomen njihet si reagim ndaj transportit. Veçanërisht te minjtë një lëvizje lëkundëse duket se nxit gjumin duke aktivizuar sistemin vestibular, i cili është një sistem shqisor i cili ofron informacion mbi lëvizjen, pozicionin e kokës dhe orientimin hapësinor.

Diçka e ngjashme ndodh edhe me foshnjet. Një eksperiment tregoi se nënat të cilat i tundnin foshnjet në një krevat lëkundës, arrinin rezultate të ngjashme me metodën e shëtitjes së foshnjes në krahë. Megjithatë shkencëtarët thonë se kjo është një çështje e cila kërkon më tepër studim./tvklan.al