Emisioni “Stop” në Tv Klan ka shkuar në Elbasan për denoncimin e qytetarit Fatjon Tahiri, i cili përfundoi në burg në vitin 2021 pasi refuzoi t’i jepte mallin që kishte qepur në fasonerinë e tij ndaj dy shtetaseve. Këto të fundit nuk e likuiduan, por e denoncuan e për pasojë Fatjoni bëri 13 muaj burg.

Kur doli nga qelia, u përball me Eda Turkun e cila bashkë me pronarin e ndërtesës Elton Dushku, i mbajnë makinat qepëse që ishin të Fatjonit me pretendimin se motra e tij i kishte marr borxh 5000 euro Eda Turkut.

Fatjon Tahiri i denoncoi në prokurori të dy këta shtetas, por prokurori vendosi mosfillimin e procedimit penal. Në deklaratat që ka dhënë në prokurori, pronari i ndërtesës ka thënë se 11 makinat qepëse janë të Fatjonit. Ndërkohë Eda Turku ka deklaruar se makinat qepëse janë të pronarit të ndërtesës. Nga ana tjetër, ajo i kërkon mbrapsht paratë që i ka dhënë motrës së tij në mënyrë që të marrë makinat qepëse.

“Stop”  provoi të komunikonte me telefon me Eda Turkun, por nuk pati asnjë përgjigje. Më pas, pranë makinës u gjend bashkëshorti i saj dhe komunikimi i tij s’është pozitiv.

Denoncuesi: Kush je ti, o zotëri?

Bashkëshorti i Eda Turkut: Zbrit e ta flasim…!

Denoncuesi: O zotni, kush je ti? As nuk jemi pa, as nuk jemi takua nojherë.

Bashkëshorti i Eda Turkut: S’më ke pa ndonjëherë në kamera ëëë?

Denoncuesi: Kamer?a Kush je ti?

Bashkëshorti i Eda Turkut: Toni jam!

Denoncuesi: Kush Ton? Ton Turku?

Bashkëshorti i Eda Turkut: Po!

Denoncuesi: Kam komunikuar dhe me këtë zotërinë, është në dijeni, që makinat janë të miat.

Bashkëshorti i Eda Turkut: Të kujt janë makinat?

Denoncuesi: Është në dijeni, që makinat janë të miat.

Bashkëshorti i Eda Turkut: Të kujt janë makinat?

Denoncuesi: Të miat!

Bashkëshorti i Eda Turkut: Okej! Ec e merri makinat edhe më sill lekët tashi! Bjerm lekët dhe ec e merr makinat!

Denoncuesi: Lekët janë gjë tjetër.

 Bashkëshorti i Eda Turkut: (i drejtohet gazetares) Mos u përziej fare! (I drejtohet denoncuesit) Zbrit 1 minutë poshtë ti!

Eksperti i çështjeve noteriale Fatmir Laçej, shpjegon sesi kërkohet borxhi dhe përfshirja e personave të tjerë, sipas tij përbën vepër penale pasi është vetëgjyqësi./tvklan.al