Shënohen 40 viktima dhe 591 rastë të reja

Në Maqedoninë e Veriut virusi po përhapet në mënyrë të pakontrolluar, kurse numri i të prekurve të rinj nuk zvogëlohet. 24 orët e fundit kanë shënuar një rekord negativ pasi 40 persona kanë humbur jetën. 10 nga viktimat janë nga Shkupi.

Autoritetet raportuan edhe për 591 raste të reja të infektuarish, gjymat e të cilave i ka kryeqyteti. Mbi 400 pacientë po mjekohen në repartetinfektive të Shkupit, teksa janë hapur edhe qendra tjera për trajtimin e pacientëve.

Situatë e rënduar paraqitet edhe në spitalet rajonale të vendit. Kamera e Klan Macedonia hyri në repartin infektiv të spitalit të Shtipit. Pacientët konfirmojnë situatën kaotike që mbizotëron aty.

“Kërkova vetëm ujë të më sjellin, për shkak të sëmundjes së sheqerit jam duke pirë shumë ilaçe. Pas vizitës së mëngjesit askush nuk përgjigjet. Pastruesja më solli një gotë ujë. Çka duhet të bëj? Të vras veten për një gotë ujë? Turp”!

Gjithsesi autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, në takimin e së hënës nuk kanë rekomanduar masa të reja shtrënguese. Mbeten në fuqi thirrjet për respektimin e plotë të masave me mbylljen e lokaleve pas orës 21:00 dhe ndalimi i grupimit të më shumë se 4 personave në ambiente publike.

Klan Macedonia