Kjo faqe interneti e Zyrës së Punës është e mbushur me njoftime për punonjës në sektorin privat. Janë 1678 kërkesa të pothuaj kaq bizneseve që kanë nevojë për krah pune. hoteleri-turizmi, prodhimi dhe ndërtimi janë tre sektorët që po vuajnë të parët mungesën e fuqisë punëtore. Me këtë problematikë, ekspertët e ekonomisë thonë se po përballet e gjithë Europa.

“Sektorët më të prekur janë sektorët e hoteleri turizmit, sektori i prodhimit, fasonerisë apo veprimtaritë për llogaritë e të tretëve, dhe ndërtimtaria janë tre sektorët kryesorë që kanë mungesë të theksuar të fuqisë punëtore. Po ashtu shihet tek IT, për shkak të lehtësive, shihej interesi i kompanive që vinin për arsye fiskale dhe kishte kërkesë për inxhinierë dhe programues. Kërkesa e vazhdueshme e tyre nënkupton mungesë të forcës së tyre. Problemi i kapitalit human nuk është vetëm problem shqiptar, problemi theksuar i vendeve të BE”, thotë Klodian Muço, ekspert ekonomie.   

Ekspertët thonë se vendet e BE po zgjedhin gjithnjë e më shumë kapital njerëzor nga vendet e treta.

“Të gjitha vendet kanë tendencë të bëjnë marrëveshje në Filipinet, në Laos, Indi, Bangladesh për të marrë forcë punëtorë nga jashtë, siç po ndodh me infermierët që shkojnë jashtë”, shprehet Muço.

Rekrutimi i forcës së punës nga vendet e tjera, sipas ekspertëve, do të sjellë përmirësim të shërbimit në disa sektorë, por problem mbetet ndërtimtaria.

“Në sektorë të caktuar të ekonomisë Filipinet për shembull janë të specializuar në hoteleri turizëm, kanë burime të kualifikuara, Bangladeshi në prodhim, problem janë sektori i ndërtimit”, shton eksperti.

Të dhënat e publikuara së fundi nga INSTAT tregojnë se në Shqipëri janë dyfishuar lejet e qëndrimit për të huajt nga vendet e treta.

Tv Klan