Një hetim i nisur rreth 1 vit e gjysmë përpara ka zbuluar një skemë abuzimi me qytetarë të sëmurë me tumor, ku të përfshirë kanë dalë 7 mjekë të Spitalit Onkologjik në Tiranë. Për ta, Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë “detyrim paraqitje”, me përjashtim të njërit prej tyre Edmond Gashit, të cilin togat e zeza e kanë lënë në arrest shtëpie.

Mjeku Gashi dyshohet të jetë dhe organizator i kësaj skeme. Ai në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij, Halil Gashi. Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash. E dhënë kjo që faktohet edhe nga përgjimet e realizuara nga prokuroria dhe krimi ekonomiko financiar në policinë e Tiranës.

Gjithashtu po nga hetimet e kryera ka rezultuar se në Spitalin Onkologjik prej vitit 2021 është instaluar një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e pacientëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, pajisje kjo që mësohet se nuk është shfrytëzuar.

Madje nga verifikimet ka rezultuar se ajo është lënë në kushte dhe ambient të papërshtatshme, duke u bërë burim rreziku edhe për vete personelin mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje. Por skema abuzimit nuk ndalej vetëm me orientimin tek spitali privat në pronësi të një prej të akuzuarve, mjekët në fjalë drejtonin pacientët e tyre edhe për ilaçe në farmaci private.

Për këto të fundit nuk përjashtohet mundësia që të jenë furnizuar po nga mjekët e onkologjiku për nxjerrjen e ilaçeve nga spitali për tregtim në farmacitë e tyre private.

Tv Klan