Grupi parlamentar i PD ka bërë kërkesë për interpelancë urgjente në Kuvend me ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu. Kështu deklaroi sot kreu i grupit Gazment Bardhi, i cili theksoi se për skandalin në spitalin Onkologjik kanë përgjegjësi titullarët e ministrisë përkatëse.


“Të gjitha institucionet përgjegjëse kanë qenë të informuara në kohë për atë që po ndodhte në spital. Nuk është episod i veçuar, është skemë e plotë e iniciuar nga drejtuesit politikë të sektorit të shëndetësisë. Ka pasur raporte të plota të KLSH-së, institucioni që monitoron nga ana kushtetuese situata të tilla dhe Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime të deputetëve të opozitës apo gazetarëve që ajo problematikë është e shtrirë në kohë. Pasi vepron Prokuroria, nuk mund t’ja hedhësh me fjalinë ne shkarkuam mjekët.”

Kjo sjell përgjegjësi për titullarët e Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët që presin çdo ditë aty nuk janë të padukshëm. Ata dhe për shkak të nevojës dhe luftës së përditshme me jetën kanë ulëritur më fort sesa kushdo tjetër për korrupsion. Sistemi korruptiv buron nga koka, shtrihet në gjithë sektorin. Kërkoj hetim të plotë sepse ka dhe të tjerë që përfshihen në skemë. Të mbajnë përgjegjësi! “, përfundoi Bardhi./tvklan.al