Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka folur sot pas mbledhjes së qeverisë sa i takon skandalit në Spitalin Onkologjik. Ajo theksoi se përpos veprimeve të Prokurorisë së Tiranës ka nisur një hetim administrativ në këtë qendër spitalore.


“Korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit publik dhe kujtdo që i shkon mendja për të kryer veprime të tilla të turpshme. Ne kemi nisur një hetim administrativ që do shkojë deri në fund dhe do ndëshkojë në mënyrë shembullore të gjithë ata që kanë abuzuar. Hetimi administrativ që ne kemi nisur bashkë më strukturat e brendshme të Auditit dhe Antikorrupsionit do trajtojë çështjet e organizimit dhe punës në këtë shërbim.”

Sipas ministres, do të kryhen edhe ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut.

“Është e papranueshme që mjeku ta trajtojë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës. Pikërisht për këtë fakt ne do sjellim në dimension tjetër figurën e mjekut dhe infermierit. Do kryhen ndryshime ligjore, amendime për ligjin për Urdhrin e Mjekut për të vendosur sanksione të forta, të cilat ndëshkojnë këdo, që krahas veprimeve të tjera, moralisht nuk kryen detyrën në mënyrën profesionale dhe me integritet.”

Kujtojmë se ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës komunikoi masat e sigurisë për 7 mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën Universitare Nënë Tereza.

Prokuroria thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi. Nga ana tjetër, Prokuroria ka dokumentuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmacitë. Flakoni për kimion varionte nga 250 deri në 1500 euro./tvklan.al