5 mjekët e Spitalit Onkologjik, pranë QSUT-ës dhe 2 personat e tjerë të vënë në masa sigurimi me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën, do të përballen me akuzat në Gjykatë të enjten në orën 10:00.

Mësohet se Prokuroria do të kërkojë të njëjtat masa sigurie, “arrest në shtëpi” për njërin prej tyre dhe detyrim për t’u paraqitur për 6 të tjerë. Mjeku Edmond  Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij Halil Gashi. 

Për çdo pacientë që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash. Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu reagoi sërish për këtë hetim, duke thënë se korrupsioni është vija ndarëse dhe paralajmëroi ndryshime ligjore për të vendosur sanksione më të rënda për raste të tilla.

“Do të iniciojmë ndryshime ligjore për të bërë amendime në ligjin për Urdhrin e Mjekut për të vendosur dhe aty sanksione të forta që ndëshkojnë këdo që e trajton jetën njerëzore si mal shumice në tregun e lirë”.

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi në Kuvend interpelancë urgjente me ministren Koçiu. Për PD-në, përgjegjësia në këtë rast përfshinë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe qytetarëve nuk mund t’u ofrohet vetëm një deklaratë publike.

Tv Klan