St-Etien, një nga klubet më të mëdha të Francës, ra nga kategoria pasi humbi me penallti në takimin play off kundër Aukseres, që kthehet në elitën e futbollit francez pas 10 vitesh. Dështimi solli një reagim të dhunshëm të tifozëve, të cilët të zemëruar u futën në fushë e hodhën flakadanë e fishekzjarre.

Policia u detyrua që të përdorte gaz lotsjellës që të shpërndante tifozët. Si sfida e parë, ashtu edhe e dyta përfunduan në barazim 1-1. Portieri Donovan Leon bëri një pritje të rëndësishme që i dha ekipit kualifikimin në gjuajtjet e penalltive.

Menjëherë tifozët e acaruar u turrën drejt lojtarëve që u futën në dhomat e zhveshjes për t’u mbrojtur, ndërsa situata u bë mjaft kaotike dhe e rrezikshme. Tifozët e St-Etien janë penalizuar disa herë këtë sezon për sjelljen e tyre. Tani 10 herë fituesit e Ligue 1 në Francë janë në një situatë serioze, për shkak të vështirësive financiare.

Klan News