Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka çuar SPAK në zbardhjen e 6 vrasjeve, 2 grabitjeve, si dhe lëshimin e 33 urdhër arresteve, 13 nga të cilat janë ekzekutuar.

Mes personave të vënë nën akuzë janë ish gjyqtarë, punonjës policie dhe zyrtarë të burgut të Bradasheshit. Ndërkohë 2 nga 33 urdhër arrestet i janë për persona që gjenden në burg jashtë Shqipërisë. Mes tyre është dhe Franc Çopja i cili rezulton të jetë i burgosur në Belgjikë.

Ai së bashku me të vëllain e tij Hajdarin, dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve që janë zbardhur ne Elbasan e Berat. Sipas SPAK këto ngjarje kanë ardhur si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë.

E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej. Njëra prej tyre e zbardhur tashmë nga SPAK është dhe “Masakra e Bradasheshit” në 2018, ku humbën jetën Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay.

Vrasja kishte si motivacion sundimin e trafikut të kokainës. Ekzekutimi i Alibejt kundërshtar direkt i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të Endritit.

Por jo vetëm kaq, hasmëria mes tyre ishte aq e egër sa SPAK thotë se ka zbardhur dhe plane ekzekutimesh, mes të cilave 4 për vëllain e Endrit Alibejt, Erionin, por dhe personave të tjerë lidhje e afërt e tyre.

Por aktiviteti kriminal i dy vëllezërve Çopja, nuk ishte vetëm te trafiku drogës dhe vrasjet. Sipas Prokurorisë së Posaçme ato janë organizatorë të dy grabitjeve të realizuara një në 2018, dhe tjetra në 2019 në Rinas kur në pistën e aeroportit Nënë Tereza u morën rreth 4.6 milionë Euro.

Vëllezërit Çopja e nisën aktivitetin e tyre kriminal në 2006 me shitjen e narkotikëve, e më pas e zgjeruan atë në Europë, çka i mundësoi atyre krijimin e një pasurie marramendëse. Me qëllim pastrimin e saj, një pjesë e të ardhurave u investuan në sektorin e ndërtimit, ndërsa një pjesë tjetër u fut në Shqipëri përmes pikave të këmbimit valutor, me qëllim kryerjen e pagesave për ngjarjet e porositura.

Po gjatë zhvillimit të këtij operacioni me urdhër të SPAK u sekuestruan 42 pasuri, si dhe 1 milionë euro cash.

Tv Klan