Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Ky është hidrocentrali i Fierzës, i konsideruar si një nga furnizuesit kryesor të energjisë së vendit. Uji i liqenit, pasi kalon në digën gjigande, përpunohet në këto turbina, për të kaluar më pas tek gjeneratorët, e më tej nëpërmjet telave shpërndan energjinë elektrike në të gjithë vendin. Aktualisht në këtë hidrocentral funksionimi është tepër i kufizuar. Niveli i rënë i liqenit nuk mund të furnizojë turbinat të prodhojnë energji elektrike.   

Niveli i liqenit ka arritur në 249 metra e 37 centimetra, ndërkohë që për funksionim normal, do të duheshin 296 metra. Sipas specialistëve në kuotën 240 metra, liqeni bëhet i pashfrytëzueshëm. Në katër turbina të këtij hidrocentrali, aktualisht po shfrytëzohen vetëm tre prej tyre. Në mëngjes hidrocentrali punon me tre turbina, nga ora 9-11 me një turbinë, nga ora 3 deri në orën 18 me dy turbina, ndërsa natën pushon deri mëngjesin e ditës tjetër. Ky grafik është bërë për të kursyer ujin i cili vetëm harxhohet.  

Të njëjtin shqetësim kanë edhe drejtuesit e tragetit të linjës në liqenin e Komanit. Sipas tyre në qoftë se koha do të vazhdojë të jetë e tillë, rënia e nivelit të ujit do të pezullojë edhe lëvizjen e tragetit, i cili është transporti kryesor për të shkuar nga Komani, në Fierzë e Tropojë. Ky është hidrocentrali i Komanit, ku shfrytëzohet uji që vjen nga Fierza dhe prurjet e Valbonës. Këtu niveli i ujit është disi më ndryshme, aktualisht kuota e tij është 168 metra e 30 centimetra, ndërsa maksimalja duhet të jetë 174 metra.

Në këtë hidrocentral të ndërtuar në vitin 1985, normalisht prodhohen 3-4 milion KW orë në ditë, ndërsa tani prodhimi është i kufizuar. Megjithatë kjo ishte situata që ne pamë atje ku prodhohet energjia, për të gjithë Shqipërinë. Errësira ka të ngjarë të vazhdojë gjatë, përsa kohë nuk do të ketë reshje, që këto liqene të mbushen me ujë./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego