Stërmundim i madh në rrugën Kashar-Thumanë dhe Milot-Lezhë


Stërmundim i madh në rrugën Kashar-Thumanë dhe Milot-Lezhë

15:45 02/08/2021

Shqipëria e papërgatitur për këtë fluks turistik

Për këdo që ka zgjedhur të udhëtojë drejt Lezhës, kalimi në këtë aks rrugor është kthyer në një ferr të vërtetë. Radhë të gjata kilometrike e pushues që duhet të presin me orë të tëra nën vapën përvëluese të këtyre ditëve, teksa termometri shënon mbi 40 gradë.

E njëjta situatë është edhe në akset që lidhin Lezhën me zonat bregdetare. Për të kaluar nga Miloti në Shëngjin, banorëve u duhen të paktën tre orë.

“Do tre orë me bërë rrugën nga Miloti në Shëngjin”.

“Shëngjini është boll problem, me shmang trafikun I kam rënë nga një rrugë dytësore”.

Ata akuzojnë qeverinë se nuk i ka dhënë zgjidhje lehtësimit të trafikut që në periudhën e sezonit turistik kthehet në një makth jo vetëm për këta banorë të zonës, por edhe pushuesit nga Kosova që zgjedhin si destinacion bregdetin e Lezhës.

“Shëngjini zgjidhet me rrugë paralele.”

Të njëjtën problematikë shfaq edhe rruga Kashar-Thumanë. Jo vetëm në bregdetin e Adriatikut, por edhe për të shkuar në atë të Jonit, duhet ta mendosh mirë. Radhët janë kilometrike dhe durimi i njerëzve tejet i madh.

Nga këto pamje duket qartë se, Shqipëria është e papërgatitur për këtë fluks turistësh, të cilët me orë të tëra qëndrojnë në trafik. Në rast se këto akse rrugore nuk zgjerohen dhe vonon ndërtimi i tunelit të Llogarasë, shanset janë që këta turistë të mos na vijnë më, e në vend të qëndrimit përvëlues në trafikun që ofrojnë rrugët tona, të zgjedhin destinacione që ua bëjnë pushimet të mrekullueshme, e jo ferr.

Tv Klan







Të ngjashme