Në një intervistë për gazetën gjermane Fas Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi se aleanca mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë.

Stoltenberg rikujtoi hezitimin e aleancës më të madhe ushtarake në botë për të ofruar armë që Kievi kishte kërkuar përpara nisjes së agresionit për shkak të frikës se tensionet me Rusinë do të përshkallëzoheshin.

Pas fillimit të luftës, Kievi, i cili nuk është vend anëtar i NATO-s, mori një ndihmë ushtarake nga vendet anëtare. Sa i përket fundit të luftës për Stoltenberg kjo do të arrihet vetëm në tryezën e bisedimeve dhe jo në fushë-betejë.

Qëndimi i Shefit të NATO-s vjen teksa Ukraina dhe shumë prej mbështetësve të saj në SHBA dhe Evropë po i kërkojnë presidentit Joe Biden të heqë kufizimet për armët me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Perëndimi dhe ka shenja që Presidenti Biden mund ta ndryshojë politikën e administratës në këtë drejtim.

Shtetet e Bashkuara, të shqetësuara për çdo hap që mund të përshkallëzojë konfliktin, janë treguar të matura më parë para se t’u përgjigjeshin kërkesave të Ukrainës për armë të caktuara, përfshirë tanke të avancuara, raketa dhe sisteme raketash dhe avionë luftarakë F-16. Deri më tani ka shenja që Presidenti Biden mund ta ndryshojë politikën e administratës në këtë drejtim.

Kjo çështje u ngrit edhe gjatë takimit të kryeministrit Keir Starmer me Kreun e Shtëpisë së Bardhë. Kur u pyet nëse e kishte bindur Bidenin që të lejonte Ukrainën të lëshonte raketa me rreze të gjatë “Storm Shadow” në Rusi, Sir Keir tha se ata kishin pasur një diskutim të gjatë dhe produktiv për një numër çështjesh pa dhënë një përgjigje konkrete.

Më herët presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi vendet perëndimore që të mos lejojnë Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë. Putin tha se një veprim i tillë do të çonte në një konfrontim ushtarak me Perëndimin.

Klan News