Irak2Militantët suni në Irak po përparojnë me ritme të shpejta drejt Bagdadit. Gjatë paradites, pas disa orë luftimesh të ashpra, ata morën nën kontroll edhe dy qytete të tjera në provincën Dijala. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se forcat ushtarake irakene dezertuan sërish pas rrethimit të militantëve islamikë, siç kanë bërë rëndom gjatë ditëve të fundit.

Nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Barak Obama iu përgjigj kërkesës për ndihmë nga qeveria irakene, duke lënë të hapur mundësinë e suportit ushtarak.

Barack Obama – President i SHBA: “Nuk përjashtoj asnjë mundësi sepse nuk duhet të lejojmë që këta xhihadistë të shtrijnë rrënjët e tyre në Irak apo Siri, në asnjë mënyrë”.  

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhei Karni shpjegoi më pas, se presidenti Obama e kishte fjalën për mundësinë e një sulmi ajror kundër terroristëve dhe jo ndërhyrje tokësore. Këto pamje të xhiruara nga ajri, tregojnë se qeveria irakene ka ndërmarrë një sulm ajror një ditë më parë ndaj islamikëve në Mosul. Parlamenti në Bagdad pritet të miratojë së shpejti shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për t’i dhënë më tepër kompetenca qeverisë në përballimin e sulmeve të militantëve suni.

Qeveria turke ka nisur negociatat me ekstremistët që kanë marrë kontrollin e pjesës qëndrore dhe veri-perëndimore t Irakut, duke vendosur Sheriatin. Në total janë gjithësej 80 shtetas turq që mbahen peng pas sulmit në konsullatën turke në Mosul.

Analistët e shohin avancimin e suksesshëm të grupit islamik “Shteti islamik i Irakut dhe Levantit” si rrezik për një krizë të gjerë në krejt Lindjen e Mesme. Ata thonë se rrezikohet krijimi i një shteti të ri Xhihadist në territorin e Irakut dhe Sirisë sipas vijave sektare, duke prishur kufijtë e vendosura sipas marrëveshjes mes Francës dhe Britanisë një shekull më parë. Konflikti rrezikon të zgjerohet, pasi në ndihmë të qeverisë Shiite të Bagdadit mund t’u vijnë forcat iraniane. Ndërsa ekstremistët sunitë mund të marrin përforcime nga vendet fqinjë me popullsi gjithashtu Sunite. Kjo do të krijonte një situatë mjaft të vështirë për Shtetet e Bashkuara dhe perëndimin. Veprimet e ekstremistëve suni megjithatë nuk gjejnë plotësisht mbështetje tek popullsia që i përket këtij sekti në Irak. Shumë klerikë suni distancohen nga veprimet ekstremiste të tyre dhe preferojnë të mos identifikohen me këtë grup.

Tensionet në Irak, një prej vendeve më të mëdha eksportuese të naftës në botë rrezikojnë të shkaktojnë krizë në eksportin e këtij produkti. Të premten çmimi i një fuçie naftë në bursën e Nju Jorkut arriti në rreth 107 dollarë, duke u rritur me 3 dollarë brenda 24 orëve. Çmimi arriti një rekord të ri, brenda një periudhe prej 9 muaj. Shtatorin e vitit të shkuar çmimi  i naftës ishte 97 dollarë për fuçi. Dhe kjo sipas ekspertëve është një shenjë që paralajmëron çrregullime të reja në ekonominë globale.

TV KLAN