Marrëveshja e firmosur në shkurt të këtij viti në Itali për njohjen e pensioneve me Shqipërinë, do të marrë miratimin përfundimtar në seancën e ditë së enjte. Kartonët jeshilë të ligjvënësve, do t’i hapin rrugë zbatimit në praktikë të kësaj marrëveshje, duke u dhënë mundësinë rreth 500 mijë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali të marrin pensionet e plota duke bashkuar vitet e punës së siguruar në atdhe me vitet e punës në emigracion.

E njëjta gjë vlen edhe për italianët që jetojnë në vendin tonë. Marrëveshja e cila ka nisur të negociohet 15 vite më parë u firmos nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe homologu italian Antonio Tajani në Romë, në 6 shkurt.

Përfituesit do të duhet të zgjedhin nëse do të marrin pensionin në Itali ose në Shqipëri. Marrëveshja nuk lejon që pensioni të merret njëkohësisht nga të dyja shtetet.

Qytetarët duhet të zgjedhin vetëm një pension: ata do të jenë përfitues ose në Itali, ose në Shqipëri, dhe kjo do të varet nga vendbanimi i tyre në kohën kur mbushin moshën për të përfituar pensionin. Asnjë s’mund të marrë pension njëkohësisht në të dyja shtetet.

Deri më tani vendi ynë ka nënshkruar 16 marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore dhe kryesisht janë vende që ka prezencë të lartë të emigrantëve shqiptarë.

Klan News