Një sherr mes dy të rinjve përfundoi në të shtëna me armë zjarri, mbrëmjen e kësaj të diele në Rrëshen. Për ngjarjen policia shpalli në kërkim babë e bir, të cilët akuzohen se qëlluan në drejtim të një automjeti.

Zyrtarisht policia thotë se fillimisht dy të rinjtë u konfliktuan me njëri-tjetrin për motive të dobëta. Pas kësaj, njëri prej tyre, i riu Erind Bardhi, shkoi në shtëpi e së bashku me babanë e tij, Martin Bardhi, morën një pistoletë dhe hapën zjarr drejt makinës ku ndodhej i riu tjetër Saimir Reçi.

Ky i fundit, në tentativë për t’u larguar humbi kontrollin e mjetit e për pasojë u përplas me bordurën e rrugës. Pavarësisht të gjithave, fatmirësisht nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Siç shihet edhe në videon më poshtë, makina BMW ku udhëtonte Reçi, e cila mësohet se ishte e blinduar, ka pësuar mjaft dëmtime.

Gazetarja Vera Deda raporton se Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në qendër të Rrëshenit në 2020-n.

Autoritetet kanë shpallur në kërkim babë e bir dhe aktualisht po punojnë për kapjen e tyre. Ndërkohë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Në Rrëshen, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet se shtetasit M. B. dhe E. B. (babë e bir), banues në Mirditë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit S. R., banues në Mirditë, i cili gjatë largimit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me bordurën e rrugës. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe Forcat Operacionale të DVP Lezhë.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se fillimisht janë konfliktuar dy të rinjtë me njëri-tjetrin dhe më pas shtetasi E. B. ka shkuar në banesë dhe së bashku me babanë e tij, shtetasin M. B., kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi S. R. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Janë ngritur pika kontrolli, si dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes“, tha policia në një njoftim zyrtar për mediat./tvklan.al